Zyrtare/Fino përballë Dukës për kreun e FSHF, nuk heq dorë nga mandati i deputetit -Albpress Daily News
Published On: Pre, Jan 12th, 2018

Zyrtare/Fino përballë Dukës për kreun e FSHF, nuk heq dorë nga mandati i deputetit

Ish-kryeministri Bashkim Fino ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. I ftuar në ‘Rubrika Sportive’ në RTSH, Fino u shpreh se ka vendosur për tu futur në garë përballë kreut aktual të FSHF-së Armando Duka.

“Ka kohë që shumë dashamirës të sportit prej kohësh më kanë kërkuar që të jem pjesë e sportit. Unë kam marrë pjesë në shumë evente sportive, kam folur dhe diskutuar se futbollin e kam pasion, mendoj që është momenti të bëj një ndryshim në futbollin shqiptar ti jap një imazh të ri, një dimension të ri për të përmirësuar imazhin.

Duke falënderuar të gjithë dashamirësit, nuk po bëj garë, jam në një garë me mikun tim Duka. Kam kënaqësi që të kishte edhe kandidatë të tjerë, unë kam platformën time. Duhet ndryshuar disa rregulla, sepse të bësh një fushatë për kreun e federatës, duhej një asamble për t’u zyrtarizuar kandidatët e mundshëm dhe të kishte një datë tjetër për zgjedhjet.

T’u jepej mundësi kandidatëve që të shkonin të 54 anëtarët për të bërë një fushatë. Fakti që bëhet në këtë mënyrë, avantazhi i presidentit aktual i bie që unë jam në një pozicion jo të favorshëm për të bërë një fushatë shumë herë më operative sesa unë. Më vjen mirë që Presidenti aktual të shpallë kandidaturën disa orë para se unë të vija këtu” deklaroi ai.

Zgjedhjet për kreun e FSHF-së do të zhvillohen me 7 shkurt në qytetin e Durrësit.

Por, ndryshe nga se u raportua në media, Fino ka bërë me dije se nuk do të japë dorëheqje nga mandati i deputetit pasi ligji nuk ia kërkon një gjë të tillë.

“Nga ana ligjore nuk më pengon askush të kandidoj për të kandiduar për FSHF-në. Kushdo mund të kandidojë, sepse ajo është një OJF. A do të hiqja dorë nga mandati i deputetit nëse kjo do të kërkohej nga ligji? Sigurisht. Nëse do të vendosja të hyja në garë do ta bëja” – tha Fino.

Po ashtu, Fino u shpreh se ka dëgjuar se kjo është një ndërhyrje e politikës në futboll, por e ka neveritur si pretendim.

“E kam dëgjuar këtë dhe do të doja që me neveri të mos ktheja përgjigje. Unë jam një politikan i vjetër karriere. E kam nisur si drejtues. Duka ka thënë që kemi shokë. Kam mbaruar për financë. Kam një përvojë të gjatë në politikë. Kam 20 vjet deputet. Unë do të mendoj 24 orë për futbollin” – premtoi Fino duke bërë edhe një replikë me disa batuta të Dukës i cili tha me ironi në një intervistë përpara vitit të ri se Finon mund ta prezantonte selia e PS-së”.

“Kur Duka doli para vitit të ri dhe bëri sarkazëm me mua më erdhi keq. Nuk i takonte ajo. Nuk kishte përse të bënte ironi” – tha Fino.

Fino ka përballë kreun aktual të FSHF Armando Dukën, ndërsa zgjedhjet priten të mbahen me 7 shkurt në qytetin e Durrësit.