Zjarri në qendrën e azilantëve në Gjermani, dyshimet bien mbi 28-vjeçaren shqiptare -Albpress Daily News
Published On: Hën, Gus 14th, 2017

Zjarri në qendrën e azilantëve në Gjermani, dyshimet bien mbi 28-vjeçaren shqiptare

E reja 28 vjeçare nga Shqipëria, e cila u gjet e vdekur pas shpërthimit të zjarrit në shtëpinë e azilit në Bad Driburg, besohet të jetë autore e ngjarjes tragjike.

Mediat gjermane duke iu referuar informacioneve nga grupi hetimor, përjashtojnë mundësinë që zjarri të jetë një veprim i qëllimshëm nga ndonjë person jashtë qendrës.

Sipas wdr.de, gjithashtu përjashtohet edhe mundësia që zjarri të jetë shkaktuar nga ndonjë defekt, duke hedhur dyshime se flakët mund të jetë shkaktuar prej 28-vjeçares me qëllim për t´u vetëvrarë.

Në këtë pistë çojnë, sipas hetuesve, jo vetëm shenjat e zjarrit në vendin e fatkeqësisë por edhe një mesazh që i është gjetur gruas në telefonin e saj celular.

Siç ka shkruar tashmë albinfo.ch, një refugjate shqiptare 28 vjeçe ka humbur jetën nga zjarri në shtëpinë e azilit në Gjermani. Në strehimoren qendrore për refugjatë në Clemensheim të Bad Driburg-ut, në pasditen e të premtes, rreth orës 16:30 ka shpërthyer një zjarr në katin e dytë të ndërtesës. Sipas tag24.de, nga zjarri ka gjetur vdekjen shqiptarja, ndërsa një grua tjetër ka pësuar lëndime të lehta.