Published On: Pre, Gus 4th, 2017

Zjarret, Dritan Demiraj: Meta të thërrasë drejtuesit e institucioneve, ja pse po cënohet siguria kombëtare

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, u shpreh mbrëmjen e sotme se Presidenti i Republikës ka detyrimin që të thërrasë të gjithë drejtuesit e institucioneve në lidhje me situatën e zjarreve në vend.

“Situata aktuale e sigurisë në vend në drejtim të zjarreve nuk është aspak e mirë. Kemi rreth 25 qendra zjarresh kryesisht në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Skrapar. Ky ka qenë objekt i takimit të sotëm me z.Meta në Presidencë.

Kemi pasur disa zjarre para dy javëve në linjën hekurudhore Lezhë-Shkodër, pra zjarr në një trase. Dhe në rast se dëmtohet infrastruktura e transporteve kjo cënon rëndë sigurinë kombëtare.

Në këtë kontekst, djegia e pyjeve 100 vjeçare, ky është cënim i sigurisë kombëtare sepse do shumë vite të rehabilitohet një pyll.

Në disa zona, ka 10-15 vatra zjarresh të cilat tregojnë dukshëm që nuk janë të rastësishme, por të qëllimshme”, tha Demiraj.

I ftuar në studion e Ora News, ministri i Brendshëm, tha se nga informacionet rezulton se njerëzit i vendosin vetë zjarret për të hapur toka të reja apo për të krijuar kullota.

“Këto arsye janë të papranueshme, ndërsa numri i personave që po përballen me ligjin për këtë vepër penale është minimal”, tha ai.