Published On: Pre, Gus 11th, 2017

Zjarret djegin 3 banesa në Mallakastër…

Situata nga zjarret duket se po rëndohet, ndërsa raportohet se 3 banesa janë djegur në Mallakastër, ku më parë flakët kishin përfshirë kodrën e Corrushit.
Banorët kanë apeluar për ndihmë, ndërsa burime nga zjarrëfikëset shprehen se ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit.
Gjithashtu në zonën e Dropullit, Qarku Gjirokastër, situata paraqitet e vështirë. Dy avionë grekë janë angazhuar në operacionin për shuarjen e zjarrit, ndërkohë që operacioni vazhdon.
Prefekti i Gjirokastrës, Flamur Bime, thotë se forcat zjarrfikëse, të ndihmuara edhe nga Forcat e Armatosura, kanë punuar gjatë gjithë natës, sidomos në zonën e Dropullit të Sipërm dhe të Goricës ku vatrat e zjarrit u riaktivizuan.
“Gjirokastra këto dy ditë ka qenë problematike, sidomos bashkia e Dropullit.
Që nga ora 09:00 një helikopter i Ministrisë së Brendshme po izolon disa vatra zjarri, në Goricë dhe në zonën e Dropullit të Sipërm. Janë vatra zjarri që u shuan të mërkurën por temperaturat e larta kanë bërë që riaktivizohen”, tha Bime.
Por sipas tij nevojiten më shumë fluturime për të pasur situatën nën kontroll.
Gjithashtu, mbi tunelin e Krrabës në Tiranë, ka ende një vatër zjarri aktive, ndërsa në zonën e Syrit të Kaltër ka pasur ndërhyrje nga ajri për të shuar flakët.