Published On: Die, Maj 21st, 2017

Zbardhet kërkesa e Ramës drejtuar Kuvendit, nesër votohen ministrat e rinj nga PD

Kryeministri Edi Rama, i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm. Kërkesa ka përcaktuar që thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm të zhvillohet ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00.

Rendi i ditës i seancës plenare do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017, lidhur me:

Votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave;

Shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore;

Miratimin e anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve;

Zgjedhjen e Kryetarit dhe një anëtari të KQZ-së.

Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe afatet e parashikuara në të, Kryetari i Kuvendit do të nxjerrë urdhrin për mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm dhe do të publikojë rendin e ditës.