Published On: Mër, Shk 7th, 2018

Zbardhen vendimet/ KKT: Dy kulla të reja në qendër të Tiranës, ja ku dhe sa kate

Share This
Tags

Të paktën dy ndërtesa të larta do t’i shtohen shumë shpejt qendrës së Tiranës. Prej pak ditësh, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit është hedhur firma, që i hap rrugë nisjes së punimeve për objektet shumëkatëshe, shkruan “Panorama”.

Mbledhja e fundit, me 19 pika në rend dite (në tabelën bashkëngjitur) shton numrin e pallateve gjigande të aprovuara për ndërtim në vetëm pak muaj. VENDIMET Këshilli Kombëtar i Territorit ka marrë më 2 shkurt disa vendime me rëndësi, që pritet të ndryshojnë pamjen e kryeqendrës. Një prej tyre është leja zhvillimore për objektin “Book Building” në zonën përpara Bibliotekës Kombëtare, më saktësisht, midis rrugëve “28 nëntori” e “Abdi Toptani”.

Përveç emrit të kompanisë ndërtuese dhe asaj që e ka projektuar, “Techno – Alb”, në vendimin e KKT-së nuk bëhet publike asnjë e dhënë tjetër për ndërtesën shumëkatëshe. Sakaq, një tjetër vendim flet për një kullë me 30 kate që do të ndërtohet pas “Tirana Internacional” apo siç njihet ndryshe 15- katëshit.

Bëhet fjalë për vendimin nr.15 (tabela ngjitur shkrimit), që i hap rrugë ndërtimit të një objekti që synon zgjerimin e kapaciteteve të hotelit si dhe një kullë tjetër që do të shërbejë si qendër multifunksionale e tregtare.

Të dyja parashikohen të ndërtohen nga format “Geci shpk” dhe “Aner shpk”. Një tjetër vendim i hap rrugë ndërtimit të terminalit lindor të autobusëve. I paralajmëruar që përpara një viti nga kryebashkiaku Erion veliaj, ndërtesa e cila do të bëhet në Farkë, pritet t’i japë fund trafikut të rënduar në kryeqytet. Projekti me vlerë 15.5 milion dollarë është dhënë me koncesion për 35 vjet dhe do të ketë veç stacioneve të autobusëve e parkim, edhe hapësira publike shërbimi e argëtimi.

Gjithashtu, në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit “Ferit Xhajko”, “Kastrati shpk” ka fituar të drejtën e ndërtimit të një godine me ambiente shërbimi dhe sigurisht edhe një pikë furnizimi me karburant. Edhe në këtë vendim, përveç firmës ndërtuese dhe vendosjes së objektit, numri i kateve nuk specifikohet.

Të tjera ndërtime, por me një intensitet më të vogël, do të ketë edhe në zona të tjera të Tiranës. Më konkretisht, një kat shtesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës, që ndodhet në rrugën “Jordan Misja” si dhe ndërtesa me qëllim përdorimi, zyra deri në 5 kate në zonën e ishKinostudios.

VENDIMET

1. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Mat.

2. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë, hidrocentralit “Ndërfushas”, në rrjedhën e mesme të përroit të Sharrës dhe përroit të Zhavoreve, degë e përroit të Lenës, degë e lumit Mat, Bashkia Bulqizë, qarku Dibër”, me subjekt zhvillues shoqërinë “SGD Energji” sh.p.k.

3. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i hidrocentraleve “Zaje”, “Tujan”, “Xhaferraj”, “Kollovoz” dhe “Novosejë”, në rrjedhën e përroit të Rekës dhe të Shishtavecit, Bashkia Kukës, me subjekt zhvillues shoqërinë koncesionare “Reka Energy” sh.p.k.

4. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë, hidrocentralit “Miraka”, në përroin e Lugjeve dhe Mirakës”, Bashkia Librazhd, qarku Elbasan”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Kuarci Blace” sh.p.k.

5. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë, Hidrocentrali “Trojet”, në përroin e Trezhinievës dhe Kasajve, degë të lumit Bushtricë, Bashkia Tropojë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Trojet Energji” sh.p.k.

6. Leje për ndryshim projekti gjatë ndërtimit për objektin: “Ndërtimi i Portit MBM, me vendndodhje në Porto Romano, Bashkia Durrës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Porti MBM” sh.p.k.

7. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i Impiantit të Pirolizës për trajtimin e mbetjeve të naftës dhe nënprodukteve të saj, Zharrëz, Bashkia Patos”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Ecoclean” sh.p.k.

8. Leje Ndërtimi për objektin: “Pikë furnizimi me karburant dhe ambiente shërbimi”, me vendndodhje në Rrugën “Ferit Xhajko”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Kastrati” sh.p.k.

9. Leje Ndërtimi për objektin: “Terminali Lindor i Autobusëve Tiranë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Praslin Investment- Al” sh.p.k.

10. Leje Zhvillimi për objektin: “Book Building”, ndërmjet Rrugës “28 Nëntori” dhe Rrugës “Abdi Toptani”, Bashkia Tiranë”, me subjekt zhvillues “Techno – Alb” sh.p.k.

11. Leje Ndërtimi për objektin: “Rehabilitimi i Institutit të Studimeve të Teknologjisë së Ndërtimit (ISTN)”, me subjekt zhvillues Agjencinë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal.

12. Leje Ndërtimi për objektin: “Studio televizive dhe zyra 5-3 kate dhe 1 kat nëntokë”, me vendndodhje në zonën e ish-Kinostudio, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Media 66” sh.a.

13. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtim shtesë anësore dhe shtesë kati n¸ godinën e Drejtorisë s¸ Përgjithshme të Shërbimit të Provës” Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës.

14. Leje Ndërtimi për objektin: “Shtesë magazine dhe impianti i përpunimit të ujit të fabrikës ekzistuese “Qafshtama”, në rrugën Krujë-Qafshtamë, Cudhi KamtKrujë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Qafshtama” sh.p.k.

15. Leje Zhvillimi për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana Internacional me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, Bashkia Tiranë”, me zhvillues shoqërinë “Geci”sh.p.k dhe “Aner”sh.p.k.

16. Leje për ndryshim projekti gjatë ndërtimit për objektin: “Studimi urbanistik pjesor, për zonë hoteleri dhe rezidenca, me sip. 6 ha, në parcelën 9A, pjesë e studimit urbanistik për zonën turistike të gjirit të Lalzit, me investitor shoqërinë “Lura” sh.p.k., komuna Ishëm, qarku Durrës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Lura” sh.p.k.

17. Për shtyrje afati të lejes së ndërtimit, për objektin “Godinë banimi dhe shërbime, zyra, hotel 7/11, 9/13, 19/23, 21, 23 dhe 24 kat, me 1 kat shërbime dhe 5 kat parkim nëntokë në Rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Bashkia Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “AL&GI” sh.p.k.

18. Për delegimin e kompetencave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit për sistemet fotovoltaike deri në 2 MË, që nuk janë objekt koncesioni.

19. Njoftim anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Territorit mbi kërkesat për kontroll përputhshmërie të shqyrtuara nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, për periudhën 10.11.2017 deri më tani, sipas Vendimit Nr. 1, datë 30.07.2015 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave, që do të ndiqen nga Autoritetet e Zhvillimit të Territorit për shqyrtimin e kërkesave për Leje Ndërtimi deri në miratimin e Planeve të Përgjithshme Vendore”, i ndryshuar /PANORAMA/