Xhafaj: Audio-përgjimi i manipuluar nga kriminelët, shumë shpejt të dalin EMRAT -Albpress Daily News
Published On: Mër, Maj 16th, 2018

Xhafaj: Audio-përgjimi i manipuluar nga kriminelët, shumë shpejt të dalin EMRAT

Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, e ka quajtur një manipulim të bërë keq, audio-përgjimin e publikuar nga partia Demokratike përmes së cilit, vëllai i tij, Agron Xhafaj, bisedon me një trafikant droge.
Xhafaj tha se nuk do donte të besonte që iniciatorë e skenarit të këtij skandali të jetë opozita, por foli për grupe mafioze kriminelësh që ja kanë servirur Partisë Demokratike këtë audio-përgjim.

Opozita sipas Xhafajt, ra viktimë duke e besuar si të vërtetë.

Në një konferencë të posaçme për mediat, ministri Xhafaj i bëri thirrje prokurorisë që të gjejë sa më shpejtë personat e përfshirë në këtë aferë që ai e quajti kriminale.

“Marr të gjitha përgjegjësitë ligjore dhe morale nëse ka qoftë edhe ndonjë grimcë të vogël në këto akuza

Vëllai im nga viti 2002 ka jetuar në Shqipëri nuk ka pasur pas këtij viti asnjë lloj problemi me ligjin në territorin e republikën e Shqipërisë, e verifikuar kjo nga institucionet ligjzbatuese.

Audio-përgjimi është një sajesë e plotë

Është një mashtrim nga fillimi deri në fund

Është një manipulim dhe i bërë keq fare

Nuk dua ta besoj që është opozita nxitësja e këtij akti skandaloz, por ajo ka rënë viktimë.

Kur në opozitë bëjnë këtë gjë, çfarë do u bënin njerëzve dhe qytetarëve duke përdorur instrumentet e shtetit nëse do ishin në pushtet? Ruajna zot

Është vepër ose e intrigantëve dhe shpifësve, ose e kriminelëve,

Veprimi është tipik mafioz

Fabrikimi i një fakti të paqenë i familjarëve të ministrit

I kërkoj sot publikisht prokurorisë, veprime të shpejta për gjetjen e atyre që janë përfshirë në këtë aferë kriminale.

Opozitës i janë errësuar sytë dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë edhe me djallin”, tha ministri.

Fatmir Xhafaj dha u shpreh se, vëllai i tij Agron Xhafaj nuk do të bënte asnjë ditë burg, nëse do të bënte njohjen e vendimit penal në Shqipëri sipas ligjit shqiptar.

“Nëse im vëlla do bënte në Shqipëri njohjen e vendimit penal të marrë në Itali, në ngarkim të tij, sipas ligjit shqiptar s’do ta vuante për shkak të dënimit në mungesë. Për ligjin shqiptar në fuqi, ndjekja penale është parashkruar rrjedhimisht”, tha Xhafaj.

Opozita shqiptare pretendon se vëllai i Fatmir Xhafës është i dënuar me 7 vjet e dy muaj burg për trafik droge, me një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Lartë Italiane.

Ndërkohë në një audio-përgjim që PD pretendon se është bërë zëri i Agron Xhafës duke biseduar me një trafikant të drogës.