Published On: Pre, Maj 25th, 2018

Vjedhja e serverave të Prokurorisë në Durrës, ndalohen dy persona…

Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona, njëri nga Sukthi dhe tjetri nga Durrësi, lidhur me vjedhjen e serverave të prokrurorisë në qytetin bregdetar. Sikundër raportohet, fillimisht personat janë shoqëruar nga policia dhe janë marrë në pyetje, ndërsa në mbrëmjen e djeshme janë arrestuar.

Emrat e personave të arrestuar nuk bëhen të ditur. Dy të dyshuarit që tashmë po merren në pyetje janë njëri nga Durrësi dhe tjetri nga Sukthi. Ata janë ndaluar me urdhër të prokurorisë pas hetimit që nisi lidhur me grabitjen, shkruan Panorama.

Ngjarja

Prokuroria e Durrësit, për herë të dytë brenda muajit, është bërë objekt grabitjeje nga persona ende të paidentifikuar. Vjedhja e paprecedentë, e mirëorganizuar dhe e dyshuar si e kryer nga një grup i strukturuar kriminal, ka ndodhur gjatë natës së të mërkurës, duke gdhirë dita e djeshme.

Ndërsa është konstatuar nga pastruesja e Prokurorisë, rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, kohë kur edhe është njoftuar Policia për ngjarjen. Burime zyrtare të Prokurorisë dhe Policisë, thanë se janë vjedhur me thyerje, zyra e një prokurori, konkretisht, prokurorit Afrim Shehu, në katin e katërt të godinës, si dhe zyra e dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, ngjitur me të.

Në largim, autorët janë ngjitur edhe në katin e pestë, ku kanë dëmtuar serverin e kamerave të sigurisë, duke marrë edhe disa pajisje CD ku janë regjistruar pamjet. Burimet thanë se për të depërtuar në ambientet e brendshme të Prokurorisë, grabitësit kanë përdorur një kabinë elektrike në pjesën e pasme të godinës. Kanë hipur në tarracën e saj dhe nga aty janë futur brenda përmes dritareve të tualetit, në katin e dytë, që ishin të hapura.

Ndërsa më pas, duke përdorur sende të forta, dyshohet leva, kanë hapur me forcë dy zyrat ku kanë vjedhur materiale të dosjeve hetimore. Burimet thanë se përveç dy zyrave dhe dhomës së serverit, nuk është dëmtuar asnjë zyrë tjetër. Kjo tregon se grabitësit e kanë pasur të qartë objektivin e tyre dhe kanë qenë të informuar, edhe për katin ku ndodheshin zyrat që do të vidhnin. Për këtë arsye, po hetohet edhe për ndonjë mundësi bashkëpunimi, pasi mund të ketë pasur informacion të brendshëm.