Published On: Mër, Qer 27th, 2018

VIDEO/ Rama akuza opozitës, promovon si fitore shtyrjen me 1 vit të vendimit për negociatat

Ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën dje shtyrjen me 1 vit të vendimit për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, në varësi të përmbushjes së kushteve.

Por Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të fajësojë opozitën lidhur me këtë vendim, duke e akuzuar se ka hedhur baltë ndaj vendit.

“Opozita ka përbaltur vendit duke thënë se u shtynë negociatat. Morëm dritë jeshile për çeljen e negociatave. Data për çeljen nuk janë asnjëherë imediate, por pas rekomandimit ka gjithmonë një hapësirë në mes.

Vendosja e datës në 12 muaj nga sot është absolutisht një zgjidhje optimale, e cila e blindon perspektiven e Shqipërisë drejt BE”, është shprehur ai.

Duke e shitur si një arritje vendimin e djeshëm, edhe pse më parë trumpetonte hapjen e negociatave në fund të qershorit 2018, Rama theksoi në një konferencë për mediat se data është vendosur atëherë kur Shqipëria do të ketë kryer tërë punën përgatitore, por edhe kur të jenë mbyllur zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian.

“As Shqipëria as Maqedonia nuk humbasin me këtë zgjidhje, sepse na jep 12 muaj kohë, për të hedhur të gjitha hapat, që do duhej të ishin hedhur edhe sikur data të ishte hapur sot”, tha Rama.