VIDEO/ Kuvend, Ruçi ndërpret seancën: PD kërkon largimin e Xhafajt dhe dënimin e dhunës ndaj Kasmit -Albpress Daily News
Published On: Enj, Maj 31st, 2018

VIDEO/ Kuvend, Ruçi ndërpret seancën: PD kërkon largimin e Xhafajt dhe dënimin e dhunës ndaj Kasmit

Seanca në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me tensione, ndërsa kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ka ndërprerë 3 herë punimet.

Fillimisht ka qenë deputetja Albana Vokshi që është ngritur në foltoren e Kuvendit ndërsa i ka bërë thirrje deputetëve që të dënojnë dhunën e ushtruar në protestën e 26 majit, ndaj gazetarit Bledi Kasmi.

“Blendi Kasmi ishte në detyrë duke raportuar minutë pas minute, – tha Vokshi, – ja ku i keni fotot, ja dhuna shtetërore ndaj medias së lirë, ja dhuna e kryeministrit kundër atyre që guxojnë të flasin. Kryeredaktori Kasmi u godit qëllimisht me një shkop hekuri në kokë në një sulm të urdhëruar dhe ku mori plagë të thella. Fatmirësisht, pas ndërhyrjes ë parë mjekësore dhe ndërhyrjes së specializuar në Spitalin e Traumës, Kasmi i shpëtoi rrezikut për jetën dhe gjymtimeve. Kjo ngjarje u manipulua me skema që edhe Policia sekrete e Enver Hoxhës do ta kishte zili. Me urdhër të Ramës, Drejtori i Policisë tentoi të shantazhonte mjekët për të ndryshuar raportin mjekësor. Ndërkohë nga zyra e Kryeministrit , media pranë tij….”, tha Vokshi.

Por Kryeparlamentari Ruçi i ka mbyllur mikrofonin, duke sjellë reagimin e parë të deputetëve të PD-së, që janë ngritur në qendër të sallës, për rreth foltores.

Fillimisht, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, i ka kërkuar Ruçit të mos i ndërpresë fjalën deputetes Vokshi, por Kryeparlamentari është justifikuar me atë që çështja në fjalë nuk ishte në rendin e ditës. Por për Spahon, për lirinë e medias ka folur një ditë më parë edhe Sekretari amerikan i Shtetit

Gjithashtu, Spaho ka kërkuar zbatimin e ligjit antimafia në rastin e Agron dhe Fatmir Xhafaj.
Kryetari i Grupit të PD Edmond Spaho ka vazhduar thirrjet e tij për dorëheqjen e ministrit Fatmir Xhafaj dhe transmetimi është bërë live nga Partia Demokratike në Facebook.

“Nëse negociatat nuk do të hapen, përgjegjësia do të jetë juaja; urrejtja popullore do të bjerë mbi ju dhe atëhërë do ta shikoni se çfarë do të thotë zemërim qytetar”, mbylli fjalën e tij Spaho.