Published On: Mër, Kor 11th, 2018

VIDEO/ Kroacia bën histori, në finalen e madhe kundër Francës…

Kroacia futet në historinë e futbollit botëror. Kroatët janë në finalen e madhe të Kampionatit Botëror, për herë të parë në historinë e tyre.

Kombëtarja e Kroacisë pas 120 minutave e mundi me rezultatin 2:1 Anglinë, në ndeshjen e gjysmëfinales. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi me rezultat 1:1, por shtesat dy herë nga 15 minuta ishin të kobshme për “Tre Luanët”.

Kroacia falë golave të Ivan Perishiçit dhe Mario Mandzukicit janë në finalen e madhe, do të takohet me Francën. Në minutën e 5-të, Anglia kaloi në epërsi. Kieran Trippier nga gjuajtja e lirë rreth 22 metra, me një goditje mjeshtërore shënoi eurogol në pjesën e epërme të portierit Subashiç.

Kroatët patën një gjysmë mundësi në minutën e 19-të, kur Perishiç nga distanca gjuajti furishëm por jashtë portës së portierit Pickford. Në minutën e 30-të, Harry Kane i vetëm, por nuk e mposhti portierin Subashiç, topi i rikthyer dhe sërish goditi i njëjti futbollist megjithatë shtylla ia mohoi golin.

Lingard nga rreth 17 metra në një hapësirë të volitshme por gjuajti plogësht e jashtë portës pikërisht në minutën e 36-të. Pjesa e dytë mjaft dinamike dhe me disa raste. Në minutën e 68-të, Vrsaljko harkoi për bukuri, ndërsa Ivan Perishiç iu shmang dy mbrojtësve anglezë, duke goditur me të majtën e tij nga afërsia dhe barazoi rezultatin 1:1. Fat i madh për Anglinë në minutën e 71-të.

Ivan Perishiç me dinakërinë e tij brenda 16-shit, me goditje të bukur, por shtylla ishte aleat i portierit Pickford. Edhe Mandzukic pati një rast të mirë në minutën e 83-të, gjuajtja e të cilit u prit nga portieri Pickford. Pas një minute Perishiç nuk shënoi në portën e zbraztë.

Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi barazim (1:1) dhe pas shtesave dy herë nga 15 minuata, u tregua lojë mjaft e mirë. Në minutën e 99-të, Stones goditi bukur me kokë, ndërsa portieri Subashiç ishte i mposhtur por mbrojtësi Vrsaljko evitoi golin e sigurtë. Mandzukic humbë një rast të mirë në minutën e 105-të.

Kroacia tregoi angazhim të madh dhe si rrjedhojë e kësaj edhe shënuan golin e dytë dhe të fitores së madhe.

Pikërisht në minutën e 109-të, një veprim që nuk premtonte pothuajse asgjë, vjen goli. Mbrojtësit e Anglisë nuk ishin të vendosur si duhet dhe Mandzukic në pozitë ideale, nga afërsia dhe me një goditje të fuqishme e mposhti portierin Pickford dhe i siguroi fitoren kroatëve me rezultat 2:1, njëherësh finalen e madhe.

Me 15 korrik, në finalen e madhe takohen Kroaci – Francë (në orën 17.00), kurse të shtunën për medalje të bronztë Angli – Belgjikë (16.00).

Kroacia-Anglia 2:1 pas vazhdimeve

Stadiumi “Luzhniki Arena”, Moskë.

Shikues: 78011.

Gjyqtar: C. Cakir C. (Turqia).

Shënues: Perishiç (68′), Mandzukic (109′) – Trippier (5′).

Kartonat e verdhë: Mandzukic, Repiç – Walker.

Kroacia: Subashiç, Vrsaljko, Lovren, Vida, Striniç (Pivariç 94′), Rakitiç, Brozoviç, Rebiç (Kramariç 101′), Modriç (Badel 119′), Perishiç dhe Mandzukic (Corluka 115′).

Anglia: Pickford, Walker (Vardy 112′), Stones, Maguire, Trippier, Alli, Henderson (Dier 97′), Lingard, Young (Rose 91′), Sterling (Rashford 74′) dhe Kane.

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of