VIDEO/ Franca në gjysëmfinale, eleminon Uruguain... -Albpress Daily News
Published On: Pre, Kor 6th, 2018

VIDEO/ Franca në gjysëmfinale, eleminon Uruguain…

Franca kualifikohet në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror – “Rusia 2018”. Francezët eleminuan me rezultatin 2:0 Uruguain.

Futbollistët uruguajanë nuk kishin forcë që të befasonin Francën, e cila luajti me shumë zgjuarsi sidomos në repartin e mbrojtjes dhe herë pas herë ka qenë e rrezikshme në vijën e sulmit.

Uruguai dukej mjaft i rrezikshëm, por me kalimin e minutave francezët zotëruan lojën. Në minutën e 15-të, Mbappe i papenguar nga askush nga rreth 7-8 metra, goditi me kokë topin që shkoi mbi portën e portierit Muslera. Vecino në minutën e 36-të, ishte brenda 16-shit por goditja e tij u prit pa problem nga portieri Lloris.

Pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë e lojës (40’), Antoine Griezmann harkoi nga gjuajtja e lirë, ndërsa Raphael Varane me kokë nga afërsia mposhti portierin Muslera. Në fund të pjesës së parë (44’) Lloris ndërhyri në mënyrë brilante duke shpëtuar portën pas goditjes me kokë te Caceresit.

Në pjesën e dytë, Franca ishte edhe më energjike, ndërsa reparti i mbrojtjes mbuloi çdo hapësirë madje e kishin amortizuar edhe sulmuesin Luis Suarez. Në minutën e 61-të, Antoine Griezmann nga rreth 17 metra nuk goditi aq fortë, megjithatë portieri Muslera bëri gabimin trashanik, ku në vend që të grushtojë topin, tentoi t´a priste, dhe i iku nga duart, 0:2.

Uruguai- Franca 0:2

Stadiumi Nizhny Novgorod.

Shikues: 43319.

Gjyqtar: N. Pitana (Argjentina).

Shënues: Varane (40’), Griezmann (61’).

Kartonat e verdhë: Bentancur, Rodriguez – Lucas, Mbappe.

Uruguai: Muslera, Caceres, Gimenez, Godin, Laxalt, Nandez (Urreta 73’), Torreira, Vecino, Bentancur (Rodriguez 59’), Suarez dhe Stuani (Gomez 59’).

Franca: Lloris, Pavard, Varane, Umtiti, Lucas, Pogba, Kante, Mbappe (Dembele 87’), Griezmann (Fekir 90+3’), Tolisso (N’Zonzi 80’) dhe Girou.

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of