VIDEO/ Basha: Miliona euro të bllokuara në port, Taulant Balla kishte marrëveshje për… -Albpress Daily News
Published On: Hën, Qer 25th, 2018

VIDEO/ Basha: Miliona euro të bllokuara në port, Taulant Balla kishte marrëveshje për…

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat akuzoi Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, si personin që kishte dhënë garancitë në lidhje me pastrimin e parave të pista që u bllokuan dje në Portin e Durrësit.

Basha tha se alarmi tani nuk është kanabisi që është lënë për gjynafqarët, por kokaina dhe heroina.
Basha ripërsëriti akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir tahiri, ministrit aktual, Fatmir Xhafaj, ndërsa tha se “kush i bën bashkë Tahirin, Xhafaj dhe Ballën? Edi Rama”.

Basha tha se Taulant Balla kishte marrëveshje për hyrjen dhe kalimin e këtyre parave në Shqipëri.

Sipas tij, është kjo arsyeja që javën tjetër, Bashkimi Europian, do të deklarojë se Shqipëria nuk përmbush kushtet për hapjen e negociatave, edhe pse mbi 97 % e shqiptarëve, mbështesin integrimin e vendit të BE.

“Policia shqiptare ka qënë nën presionin e partnerëve për të vepruar. Kemi një ish-Ministër të Brendshëm që është akuzuar; një tjetër që përpiqet të justifikojë nga mëngjesi në darkë vëllanë e tij trafikant dhe tani kemi Sekretarin e Përgjithshëm të PS, kryetarin e Grupit të PS që përpiqet të pastrojë paratë e drogës.

1 milionë e 500 mijë euro ka qënë pakti dhe marrëveshja është garantuar nga Taulant Balla. Ky ka hyrë garant, këtë mund t’ju them sot dhe do ta verifikojnë faktet dhe koha”, tha Basha.

I pyetur për deklaratat e Ballës, kreu demokrat u shpreh “nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e një personi që duhet të ishte para drejtësisë. Pyetja është ku shkojnë këto para? Çfarë i lidh Saimir Tahirin, Fatmir Xhafajn, Taulant Ballën, Erion Veliajn përveç Ramës? Paratë për të ndërtuar kullat dhe pastruar paratë e krimit. Kjo është arsyeja pse sot BE pavarësisht punës që kemi bërë ne si opozitë vendos që Shqipëria s’i ka plotësuar kushtet”.