Published On: Die, Qer 10th, 2018

VIDEO/ Artistët rinisin protestat: Rama si Erdogani, koha e maskarenjve

Artistët kanë nisur që sot protestën e tyre kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Pas zbulimit të një projekt ligji, që i hapte rrugën shembjes se Teatrit Kombëtar, artistë janë mbledhur tek godina dhe bëjnë thirrje që të mos ndodh asnjë shembje e teatrit.

Aktori i madh Robert Ndrenika tha se këtë gjë po e bën vetëm Erdogani, dhe shtoi se të gjithë i kanë dhënë të drejtë dhe janë me artistët.

“Nuk marrë vesh seç po ndodh. Kemi qenë tek presidenti nga ka dhënë shumë të drejtë, kemi qenë dhe tek kryetari i Kuvendit na ka dhënë të drejtë, dhe opozita është me ne. Kam përshtypjen se dhe shumë nga partia socialiste është me ne. Vetëm Erdogani i bën këto punë, duhet që të ulemi në bisedime.”, ka thënë Ndrenika.

Mirush Kabashi, fjalën e tij e ka përcjell me anë një poezie të Ali Asllanit.

“Koha është e maskarenjve, por Shqipëria dhe teatri janë të tonat, janë të shqiptarëve”, ishte kjo një nga vargjet e recituara nga Kabashi, por e përshtatur për rastin e sotëm.

Arben Derhemi ishte edhe më i ashpër në deklaratat, pasi tha që ata që duan të shembin teatrin, duhet ë kalojnë mbi trupat e tyre.

Derhemi tha më tej se duhet një reagim i ashpër, e vetmja rrugë është lufta.

“Kam përshtypjen që jeni shumë të butë. Nuk ka më vend për të qenë njerëzorë, nuk ka më vend për të qenë ne njerëzit që marrim përsipër të shkojmë të bisedojmë, jemi ne që të duhet marrim në dorë fatet e këtij teatri, ne dhe të gjithë qytetarët. Ky teatër nuk do të shembet! O kryeministër që të gënjen mendja që je dikushi, që mund të bësh ç’të duash me teatrin. Të gjithë bashkë ne do shkojmë në grevë urie. Vetëm mbi trupat tanë do e shembni. Dhe nuk e kujtoj ku janë aktorët e tjerë. Ça ju ka ngelur më t’ju bëjë drejtori juaj? Ça ju ka ngelur më t’ju bëjë kryeministri juaj? Ore njerëz a jeni në vete apo nuk jeni? Deri ku do shkojmë ore? Do na përdhunojnë ndonjë ditë more!! Nuk ka më vend për tolerancë, e vetmja rrugë është lufta. Tashmë merrni hunjtë shokë dhe ky teatër do mbrohet me gjak, do apo nuk do firma, apo nuk do kryeministri.”, ishte kjo një pjesë e fjalës se Arben Derhemit.