Published On: Die, Qer 24th, 2018

VIDEO/ Anglia shpartallon Panamanë dhe shkruan historinë…

Kjo është hera e parë në historinë e Anglisë që shënon më tepër se katër gola në një ndeshje të Kupës së Botës.

Të besuarit e Gareth Southgate kanë shpartalluar modestët e Panamasë me rezultatin e thellë 6-1 falë një triplete të Harry Kane.

Anglia për momentin ndodhet me pikë, dhe golavarazh, të barabartë me Belgjikën. Ishin anglezët që nuk harxhuan kohë duke e nisur lojën shumë mirë. Goli i parë vjen nga John Stones pas një goditje këndi, në minutën e 8-të.

Kane dyfishon rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë përpara se Lingard të shënonte golin e ndeshjes nga distanca.

Kishte kohë edhe për dy gola të tjerë përpara se të përfundonte pjesa e parë, dhe ata janë shënuar nga autorët e dy golave të parë, Stones dhe Kane, i cili përsëri godet nga penalltia.

Pas pushimit Harry Kane kompleton tripletën me një gol me fat pasi topi devijohet te thembra e tij dhe futet në rrjetë.

Baloy i Panamasë, kapiteni i ekipi, ka shënuar golin e nderit në minutën e 78, ndërsa britanikët e kishin ulur disi ritmin.

Ky ishte goli i parë i Panamasë në një Kupë Bote.