Published On: Mër, Shk 28th, 2018

Veliaj-Rama mbushin Tiranën me pallate, lejet e ndërtimit u rritën me 118%

Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në vend gjatë vitit 2017 është rritur ndjeshëm, ku rekordin e mban Tirana, duke paralajmëruar për një valë të re ndërtimesh në afatin e mesëm.
Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, në total, në gjithë vendin në 2017-n janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë.

Përqendrimi më i madh i lejeve ka qenë në kryeqytet. Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje me një rritje prej 118% në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë.

Në rritje ka qenë dhe sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet. Në vitin 2016 janë dhënë gjithsej 106 leje ndërtimi në Tiranë, për një sipërfaqe prej 209.3 mijë metra katrorë, ndërsa në 2017-n numri i lejeve arriti në 231 për një sipërfaqe totale prej 522 mijë metra katror. Pra për sipërfaqe, rritja ishte 2.5 herë. Sipërfaqja e planifikuar për ndërtim në Tiranë, është sa 60% e totalit për gjithë Shqipërinë.

Pas Tiranës, për leje ndërtimi kryeson Fieri, me 133 leje të dhëna për gjithë vitin dhe Durrësi me 105 leje. Qytetet ku nuk ka interes për ndërtime janë Kukësi dhe Dibra, ku numri i lejeve të dhëna ka qenë minimal.

Sipërfaqja për ndërtesa të reja në Shqipëri rritet me 128.5%

Sipas njoftimit zyrtar të INSTAT, në tremujorin e katërt 2017 janë miratuar gjithsej 211 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 147 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2016, duke shënuar një rritje prej 43,5 %.

Referuar vitit 2017, janë miratuar gjithsej 819 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 455 leje të miratuara në vitin 2016, duke shënuar një rritje prej 80%.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2017, është rreth 197.130 m2 , nga rreth 183.319 m miratuar në tremujorin e katërt 2016. Ky tregues, në tremujorin e katërt 2017, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, shënoi rritje me 7,5%.

Gjatë vitit 2017, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është rreth 868.534 m2, nga rreth 380.141 m2 miratuar në vitin 2016, duke shënuar një rritje prej 128,5%.

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e katërt 2017, është 9.7 miliardë lekë, nga 8.8 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2016.

Ky tregues, në tremujorin e katërt 2017, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me 9,5%.

Referuar vitit 2017, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 49.1 miliardë lekë, nga 25.8 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2016, duke shënuar një rritje prej 90,3%./monitor