Published On: Sht, Gus 5th, 2017

Vasili i hakërrehet Ramës: Ç’lidhje ke ti me këtë vend? Je thjesht një turist!

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka ashpërsuar tonet kundër kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si një person të papërgjegjshëm, në kushtet kur Shqipëria po merr flakë nga zjarret e ndërsa qytetarët mbyten në plazhet shqiptare në mungesë të plotë të ndihmës.
Në shkrimin e tij në rrjetin social, Vasili i referohet dy rasteve të kësaj të shtunë, ku një zjarr masiv ka rënë në kodrat e Ardenicës në Fier dhe një fëmijët I mitur me origjinë nga Kosova është mbytur në detin e Velipojës.

Por sipas Vasilit, Rama jo vetëm që nuk ka ndërmend të prishë pushimet e tij në jug të vendit, por nuk denjon që të reagojë në lidhje me rastet e sipërpërmendura. Kësisoj, Petrit Vasili e konsideron kryeministrin si një turist në Shqipëri.

Statusi:

Flakë në kodrat e Ardenicës.

Një 13-vjeçar humb jetën duke u mbytur në Velipojë pak çaste më parë. Vera më e rëndë për shqiptarët.

Bilanc i rëndë lufte: tragjedia e të mbyturve në plazhet shqiptare nuk ka të sosur dhe zjarret po shkretojnë vendin dhe pasuritë e qytetarëve.

Të gjithë qytetarët janë në ankth dhe dëshpërim të thellë për vendin. Vetëm kryeministri është i qetë dhe i pashqetësuar hiç në romantizmin e tij veror dhe nuk shpenzon asnjë fjalë, as për qokë, e jo më për drejtim shteti.

S’na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë pushime të mbara.

Ç’lidhje ka ai në fund të fundit me këtë vend? Turist është.

Iku dikur, erdhi, do iki prapë dhe hallet akoma më të mëdha do t’ua lerë shqiptarëve pa u zgjidhur asnjërën. Të tjerat… do t’i marrë me vete.