Teatri Kombetar/Hapi i parë për zgjidhjen e 'ngërçit' nis me përplasje -Albpress Daily News
Published On: Mër, Shk 14th, 2018

Teatri Kombetar/Hapi i parë për zgjidhjen e ‘ngërçit’ nis me përplasje

Pasditen e kësaj të mërkure, artistët shqiptarë u ulën në një tryezë me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro për të folur përballë për një nga shqetësimet e tyre më të mëdha, e ardhmja e godinës së Teatrit Kombëtar.
Një pjesë shumë e vogël e aktorëve, u takuan me ministren në zyrën e saj në ministri, ndërsa më të shumtë në numër, grupi tjetër i aktorëve u mblodhën në ambientet e Teatrit Kombëtar. Aty diskutuan me njëri-tjetrin, për të dërguar më tej në Ministri, dy përfaqësues prej tyre. Ema Andrea dhe Kastriot Cipi përcollën zërin e unifikuar të aktorëve tek ministrja Mirela Kumbaro.

“Ju pritëm në teatër, por mësuam që ishit në një takim me një grup tjetër artistësh. Ne kemi ardhur të përfaqësojmë një grup prej 200 personash, ndërsa artistët që kanë ardhur këtu, mirë kanë bërë që kanë ardhur, por përfaqësojnë veten”, u shpreh Ema Andrea para ministres.

Në takimin me ministren në zyrën e saj ishin aktorët Bujar Asqeriu, Laert Vasili, Artan Imami dhe Spiro Duni, të cilët duke ju referuar deklaratës së Ema Andreas, kanë shkuar në takim pa u konsultuar me aktorët e tjerë.

Në largim, duke i dorëzuar edhe disa propozime të artistëve, Kastriot Cipi theksoi se e presin ministren në Teatrin Kombëtar për vijimin e dialogut.

Megjithatë, Bujar Asqeriu nuk i kurseu kritikat përballë ministres.

“Teatrot në bashki kanë vdekur. Unë nuk jam kalimtar dhe nuk mendoj për lekët, unë jetoj për teatrin, jam i vërtetë dhe nuk i servilosem askujt. Zonja ministre vlerësojini dhe respektojini artistët”, u shpreh Bujar Asqeriu.

Ministrja Kumbaro u shpreh se projektligji për artin dhe kulturën është hedhur në ueb për të nxitur debat dhe sugjerime, të cilat kanë filluar të vijnë nga bashkitë.

Aktorët janë lënë në terr për të ardhmen e godinës, pasi I është kërkuar të lënë ambientet e Teatrit Kombëtar, për tu zhvendosur në një tjetër ambiente. Ndërkohë që artistët e Operës dhe Baletit është parashikuar të japin shfaqje në ambientet e Teatrit Kombëtar. Dyshime janë ngritur se në godinë e Teatrit do të ndërtohen kulla që nuk i shërbejnë artistëve, dhe se aktorët do të zhvendosen në një qendër multifunksionale, “Turbina”. Ata duan që të qëndrojnë në godinën aktuale, dhe në të të luhet vetëm Teatër!