Të terrorizuar, të poshtëruar...Çfarë po ndodh me artistët shqiptarë!?! -Albpress Daily News
Published On: Sht, Shk 10th, 2018

Të terrorizuar, të poshtëruar…Çfarë po ndodh me artistët shqiptarë!?!

Shpërndaj
Tags

Artistet Iliriana Basha, Olta Daku, Eni Jani dhe Anila Bisha rrëfejnë se Teatri Kombëtar është shtëpia e tyre.
Iliriana Loxha Basha, kostumografe dhe skenografe, vendos t’u bashkohet artistëve, të cilët njëzëri kundërshtojnë vendimet e Ministrisë së Kulturës për godinën e Teatrit Kombëtar dhe për shtojcat në projektligjin “Për artin dhe kulturën”.

Për “Shekulli”-n, artistja shprehet se problemi më thelbësor i Ministrisë së Kulturës është mungesa e komunikimit dhe refuzimi, nga ana e ministres, për një dialog konstruktiv me komunitetin, aq sa të krijohet përshtypja e nënvleftësimit. Basha tregon se në Kosovë pagesat e të gjithë krijuesve të një shfaqjeje teatri janë së paku dyfish më të larta se në Shqipëri. Për këtë ajo propozon, që ndryshimi urgjent i statusit të artistit që është nëpunës civil

Zonja Basha, artistët shqiptarë, veçmas të teatrit janë bërë bashkë për të kërkuar, që ministrja Mirela Kumbaro, përpara se të largojë trupën e teatrit për tek skena e re “Turbina”, t’u prezantojë projektin e ri, të teatrit ekzistent. A i bashkoheni ju kërkesës së tyre?

Patjetër që pajtohem me kërkesat e tyre, mos të them që është dashur edhe më herët të reagohej, sepse ka pasur zëra kundërshtimi ndaj punës së Ministrisë së Kulturës, por vetëm tani u bënë bashkë artistët. Sipas meje, problemi më thelbësor i Ministrisë së Kulturës është mungesa e komunikimit dhe refuzimi nga ana e ministres për një dialog konstruktiv me komunitetin, se pastaj krijohet përshtypja e nënvleftësimit.

Gjatë viteve të fundit, është folur se Teatri Kombëtar është amortizuar dhe po shembet. Ndërsa, së fundmi janë shprehur se në këtë teatër, do të ngjiten artistët e operës. Çfarë mendoni për këtë?

Te kjo lëvizje e Teatrit në “Turbina” dhe Opera në Teatër ka diçka që nuk shkon dhe krijon dyshime ky lloj paradoksi. Nga njëra anë thonë Teatri do shembet dhe nga ana tjetër Opera do rrijë aty dy vjet. Duhet ta sqarojë mirë dhe të jetë transparente ministrja për këtë lëvizje të dyshimtë.

Aktori Mehdi Malkaj u shpreh:”Po na trajtojnë si skllevër!”. Ju keni pasur mundësinë, që të bashkëpunoni edhe vet, si kostumografe dhe skenografe në teatër. Çfarë mund të na thoni për mënyrën se si trajtohen artistët? Paga apo dhe detaje të tjera. Çfarë mund të na thoni përsa i përket figurës së një artisti në Shqipëri, mendoni se fakti, që shpeshherë nevoja për punë, bën artistët të durojnë më tepër, sesa duhet?

Mehdi Malkaj ka të drejtë! Sepse, trajtimi që i bëhet një artisti në Shqipëri nga ana materiale është për të të ardhur keq. Dhe, duke pas nevojën për punë atëherë janë të detyruar të heshtin e të mos ankohen. Kjo është një lloj dhune psikike. Në Kosovë, për shembull, pagesat e të gjithë krijuesve të një shfaqjeje teatri janë së paku dyfish më të larta se në Shqipëri. Një skenograf e kostumograf p.sh paguhet 2500 euro për secilën. Një regjisor së paku 5000 euro. Aktorë i parë i jashtëm deri në 4000 euro. Kurse, aktorët rezident në Teatrin e Prishtinës për çdo shfaqje të luajtur marrin 7% të rrogës, dhe në fund ju del një pagesë e kënaqshme. Së paku, të bëhet këtu si në Kosovë.

Dhe së fundmi, çfarë do të propozonit ju, që të ndryshojë në këtë drejtim, përsa i përket vlerësimit që i bëhet artit skenik?

Kam disa propozime! Për shembull, ndryshimi urgjent i statusit të artistit që është nëpunës civil. Aktori i kategorisë së parë të ketë rrogën të paktën sa një profesor universiteti. Ligji i ri i artit të bëhet në bashkëpunim me komunitetet artistike. Reforme e plotë e teatrove të rretheve me varësi nga një Institucion Kombëtar i Teatrit, i cili do të ketë përgjegjësi edhe për projektet e përbashkëta me Kosovën dhe Maqedoninë. Një reformë e plotë në Teatrin Kombëtar, duke marrë modele më të njohura, nëse si marrin së paku këto të Kosovës e Maqedonisë, nga National Theatre ose Comedie Francaise. Dhe absolutisht si në çdo kryeqytet të botës ku Teatri Kombëtar është në qendër të qytetit, edhe ky të mbesë aty ku është.

Olta Daku: Absolutisht e papranueshme!

Edhe aktorja Olta Daku, e cila gjatë viteve të fundit, ka qenë një ndër aktoret më të duartrokitura në skenën e Teatrit Kombëtar, mendon se lëvizja e TK-së për të ardhur opera është tepër absurde. “Nuk ka asnjë fije logjike nëpër të. Ne si komunitet kemi kohë që presim projektin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar dhe ndërkohë marrim vesh që duhet të lëvizim nga Teatri ynë për t’i hapur vend Operës. Absolutisht e papranueshme!”

Kush gënjen Mirela Kumbaro apo artistët?

“Shekulli” qysh në ditën e parë, që nisën diskutimet, përsa i përket shtojcave në projektligjin për “Artin dhe Kulturën”, pyeti kineastët se si qëndron e vërteta rreth një projektligji, i cili sipas tyre, shkel hapur autonominë e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. A janë konsultuar me ta? E të gjithë të çuditur, pohuan se nuk kanë pasur dijeni për këtë projektligj, derisa e lexuan online në faqen e Ministrisë së Kulturës, e aq më pak që të jenë dakord me të. “Shekulli” i kërkoi këshilltares për mediet pranë Ministrisë së Kulturës në një email zyrtar, se cilët janë emrat konkret të artistëve, me të cilët kanë komunikuar apo kanë shkëmbyer email-e? Por, prej tyre nuk pati asnjë emër konkret, veçse: U kemi dërguar email grupeve të interesit! Tani mbetet vetëm që Ministria e Kulturës të publikojë email-t, që të jenë të besueshëm në atë që thonë. Vetëm kështu, artistët të dinë kë të pyesin për vendimet që janë marrë për ta. Pasi, sipas ministres ato vendime janë në favor të tyre, por ata kanë keqkuptuar draftin. “Patjetër që do t’i takoj artistët. Shtojcat në projektligjin “Për artin dhe kulturën” i kemi nxjerrë në faqen e Ministrisë së Kulturës, e kemi dërguar me email tek të gjithë aktorët dhe grupet e interesit”. Kjo është përgjigjja e ministres së Kulturës për mediet gjatë ditës së djeshme.

Eni Jani: Sot nuk duhet ta ndjenim veten kaq të fyer apo skllevër, të na kthehet shpërblimi!

Aktorja Eni Jani i bashkohet nismës së artistëve mëse e vendosur. Ajo shprehet se është qesharake, që trupës së Teatrit u kërkohet që të zhvendosen te skena e re “Turbina”, ndërsa në këtë godinë të amortizuar, do të interpretojë një trupë, me dyfishin e kapacitetit.

Eni, artistët shqiptarë, veçmas të teatrit janë bërë bashkë për të kërkuar, që ministrja Kumbaro, përpara se të largojë trupën për tek skena e re “Turbina” t’u prezantojë projektin e ri, të teatrit ekzistent. A bashkoheni ju me kërkesën e tyre?

Sigurisht që bashkohem me artistët, është e drejta jonë të na jepet një shpjegim për të. Fakti që nuk ka transparencë na bën të dyshojmë. Nuk jemi kundër një teatri të ri, por të dimë se si dhe çdo bëhet në të. Është e drejtë e komunitetit dhe e meritojnë, si komuniteti ashtu dhe publiku një Teatër Kombëtar!

Gjatë viteve të fundit, është folur se Teatri Kombëtar është amortizuar dhe po shembet. Ndërsa, së fundmi Ministria është shprehur se në këtë teatër, do të ngjiten artistët e operës. Çfarë mendoni ju për këtë?

Kjo është mëse qesharake të ulërasësh që s’kam kushte e teatri është i amortizuar e ndërkohë ti kërkon të fusësh në të një institucion me dyfishin e kapacitetit, a më shumë kjo jo vetëm qesharake, por është të të fyejmë inteligjencën dhe jo një individi po një komuniteti të tërë. Më vjen keq që reagimi i Teatrit Kombëtar është i vakët, ose i ftohtë totalisht ndaj kësaj kauze. Nuk mund të përfaqësohet një komunitet nga heshtja e një grupi me interesa të vogla.

Aktori Mehdi Malkaj, u shpreh se:”Po na trajtojnë si skllevër”. Por, çfarë mund të na thoni për mënyrën se si trajtohen artistët në teatër?

Në këtë pikë mendoj që jemi vetë fajtorë, sepse duhet të ishim bërë bashkë me kohë e të kërkonim atë trajtim që meriton të ketë një artist. E kemi zvogëluar veten e jemi mjaftuar me: të paktën kam një kontratë. Se nuk kemi reaguar kur i është hequr një institucioni një emër e i është vënë një emër tjetër. Ndërkohë, që mund të kërkonim të shtohej një sallë e të ishin dy institucione. Janë shumë gjëra që duhet të ishin bërë me kohë, që ne sot mos ta ndjenim veten kaq të fyer apo dhe skllevër siç është shprehur Mehdiu. Shpesh dhe kam dhënë të drejtë se artisti është në pikën e mbijetesës e për shkak të lakut në fyt është detyruar të gëlltitet. Po tani që erdhëm në këtë pikë?! Ah ky i shkret dinjitet ka kostot e veta! E duke qenë se artistët i kanë katandisur në këtë derexhe na detyrohen, jo vetëm të na dëgjojnë, por dhe një ndjesë publike për mënyrën se si duan dhe vazhdojnë të na trajtojnë.

Çfarë propozoni ju, përsa i përket vlerësimit që i bëhet artit skenik?

Pa diskutim pavarësi institucionale, kthimi i shpërblimit kjo me VKM e të kemi një status, që ka kohë që kërkohet.

Anila Bisha: Po kërkojnë asimilim të Teatrit Kombëtar, me kontrata 1-vjeçare na kanë torrizuar!

Aktorja Anila Bisha për “Shekulli”-n rrëfen presionin, që u bëhet artistëve të Teatrit Kombëtar nëse ata dalin kundër vendimeve të drejtuesve. Ajo tregon se gjithçka po bëhet, sepse dalëngadalë ka filluar procesi i asimilimit të Teatrit Kombëtar

Anila, artistët shqiptarë, veçmas të teatrit janë bërë bashkë për të kërkuar, që ministrja Kumbaro, përpara se të largojë trupën për tek skena e re “Turbina” t’u prezantojë projektin e ri, të teatrit ekzistent. A bashkoheni ju me kërkesën e tyre?

Për mendimin tim fakti që duan të na nxjerrin ne e të sjellin Operën për 2 vjet do të thotë që ata nuk kanë një projekt për teatër të ri në atë truall. Unë jam e bindur se që me futjen e kontratave ata kanë filluar dalëngadalë procesin e asimilimit të teatrit kombëtar. Pra duan ta zhdukin si koncept, gjë që e bën më të lehtë të bëjnë ç’të duan me atë truall. Pra largimi është zhdukje e TK, si institucion.

Teatri Kombëtar është amortizuar dhe po shembet. Ndërsa, së fundmi Ministria është shprehur se në këtë teatër, do të ngjiten artistët e operës. Çfarë mendoni ju për këtë?

Kur vendosën të bënin rikonstruksionin e operës sigurisht që duhet ta kenë menduar se ku do të vendoset ajo provizorisht. Fakti që tani thonë do ta sjellim në TK s’ka asnjë logjikë. Madje do të thotë që ajo është funksionale dhe për ne. Ajo është shtëpia jonë e ne nuk kemi pse të largohemi pa parë projektin e ri dhe afatet e realizimit.

Që nga paga, e deri në detaje të tjera. Çfarë mund të na thoni për figurën e një artisti në Shqipëri, mendoni se nevoja për punë, bën artistët të durojnë më tepër, sesa duhet?

Heqja e shpërblimit të figurës artistike ishte një poshtërim që na u bë. Nuk di të them, si skllevër, por di të them që drejtuesit na kanë terrorizuar me kontratat njëvjeçare. Po guxuam të japim mendimet tona për mënyrën se si po funksionon puna në teatër, si duhet të jetë që artistet sidomos ata me përvojë të gjatë në skenë dhe ekran të ndihen të vlerësuar dhe respektuar, po kritikuam drejtuesit do të marrim përgjigje në fund të sezonit, që nuk do e shohim veten në skenë gjë që sjell pasoja të aspektit ekonomik dhe psikologjik tek ne. Pra rrezikojmë humbjen e vendit të punës po hapëm gojë.