Published On: Mër, Dhj 27th, 2017

“Të prodhojmë duhan me cilësi të mirë, por ta eksportojmë, që të helmohen revizionistët”

Share This
Tags

Sevo Tarifa ka qenë një nga bashkëpunëtorët besnikë të Enver Hoxhës, ndërsa ka ushtruar dhe detyrën e nëndrejt5orit të Institutit të Studimeve Marksiste-Lenininistë parni KQ të partisë.

Bindjet e tij nuk janë lëkundur asnjëherë dhe lexon çdo gjë që shkruhet rreth jetës dhe punës së ish-udhëheqësit komunist.

Mërzitet kur lexon sharje dhe shpifje. Kështu ka ndodhur edhe këto ditët e fundit, kur ai vendosi të publikojë kujtimet e tij për Enverin. Ja çfarë shkruan ai në letrën që shoqëron kujtimet e tij për gazetën ‘DITA’:

“Ajo që më shtyn të botoj këto pak faqe nga Ditari im për figurën e madhe të Enver Hoxhës, ështe shpifja e disa keqdashësve se gjoja Atë e  kanë helmuar Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia e Sulo Gradeci! Nuk ka budallej që ta besojnë këtë. Meqë kam pasur nderin të isha me punë aty afër për dy dekada rresht dhe, duke qenë i bindur plotësisht se ai u shua natyrshëm, më jepet rasti të bëj publike disa nga shënimet e mia”.

LËNIA E DUHANIT

26 janar 1971

Sot zhvillohet Plenum i 11-të i Komitetit Qendror të PPSH për shëndetësinë. Shoku Enver mbajti fjalën dhe, ndër të tjera u zotua se cigarin do ta pakësojë. Të nesërmen, pasi iku nga puna drejt shtëpisë për drekë, hyra në zyrën e tij dhe numërova bishtat e cigareve që kishte pirë. Më gëzoi fakti që ai kishte pirë vetëm 7 cigare! Me sa duket 3 të tjerë i kishte lënë për t’i pirë pasdite e deri në mbrëmje vonë, duke punuar në shtëpi! Ky fakt “i vogël” flet për vullnetin e madh të Tij, si për lënien e duhanit, ashtu dhe për punë, për studim etj.

Me këtë rast, më erdhi në mendje një kujtim: Më 1954, shoku Enver mori pjesë në aktivin e Partisë për duhanin në Elbasan, Dëgjonte me vëmendje diskutimet. I pëlqeu sidomos diskutimi i një kultivuesi të duhanit, kur tha: “Shokë, ta prodhojmë duhanin me cilësi të mirë, por të mos e pimë vetë, se është helm. Ta eksportojmë, që të helmohen revizionistët”! Shoku Enver qeshi me të madhe, se atëherë e pinte vetë duhanin. Por erdhën ditë që e la! Më 30 shtator 1974, në një bisedë me miq të huaj thoshte: “Mua më kishin këshilluar gjithë jetën për ta lënë duhanin, por tani m’u mbush mendja dhe vendosa të mos e pi më. Unë kisha menduar se lënia e duhanit do të ishte shumë e vështirë, bile diçka e tmerrshme, por në fakt nuk paska qenë kështu. Lënia e duhanit, natyrisht, është e vështirë, por duke pasur parasysh dëmet që shkaktohen nga përdorimi i tij, përpiquni  edhe ju të gjeni forca për ta lënë”.

KATËR TAKIME

29 prill 1971

Rast i rrallë. Katër takime, katër gëzime brenda ditës! Takime pune. Herën e parë në mëngjes, kur erdhi në zyrë. Sa hyri në paradhomë, më përshëndeti “Mirëmëngjes”! Veshët më kumbuan me orë nga kjo përshëndetje e ngrohtë. Hyri në zyrën e vet. E ndoqa me sy sa iu afrua tavolinës së punës dhe u ul në karrige. Herën e dytë hyra në zyrën e tij. I çova dosjen me letrat e popullit. Kur mbylla derën e zyrës, e pashë edhe një herë me ngazëllim. Herën e tretë i çova një zarf “Tepër sekret”. Ishte duke shkruar shumë i përqendruar. Megjithatë ngriti kokën dhe më pa. Buzëqeshi dhe nisi të hapë zarfin.  Herën e katërt e pashë kur iku në drekë. Hapi derën e zyrës së tij dhe u fut në paradhomë. Duke u larguar më pyeti: “Si je ti, Sevo, si vete me punë?”. E ndoqa me sy deri sa hipi në ashensor. Kënaqësi e veçantë.

 

SA I KUJDESSHM…

10 qershor 1971

Mëngjes. Ra zilja e telefonit. U ndez llambushka e numrit të telefonit të komandantit. Kush do të jetë vallë? Ngrita receptorin.

– Alo, ka ardhur shoku Enver?

E njoha nga zëri. Ishte kryeministri, Mehmet Shehu.

– Jo, akoma s’ka ardhur, shoku Mehmet. T’i them kur të vijë?

– Do ta marr prapë.

Pas pak erdhi shoku Enver. Pasi përshëndeti, pyeti:

– Ka ndonjë gjë të re këtej?

Telefonoi kryeministri, por do t’ju telefonoj prapë.

Shoku Enver hyri në zyrë dhe puna e parë që bëri i telefonoi vetë kryeministrit.

AUTOKRITIKA  DHE  AUTORITETI

14 qershor 1971

Një letër. E dërgojnë disa nxënës. Ia drejtojnë shokut Enver. Ankohen se “drejtori i shkollës u ka thyer notën e sjelljes, pse kanë pirë duhan”. Ata, megjithëse kanë bërë autokritikë dhe nuk pinë më duhan, janë vënë në shenjë, persekutohen. “Vazhdimisht na i shpien bamb në çdo mbledhje. Ngri e vur këtë gabim. Një hakmarrje e tmerrshme”, shprehen ata në letër.

Nga verifikimi që u bë, doli se e vërteta ishte ashtu siç shkruajnë nxënësit. Me letrën dhe përfundimin e verifikimit u njoftua shoku Enver, i cili mbi këtë praktikë shënoi: “Drejtori të dalë para nxënësve e të bëjë autokritikë, të mos e kuptojë këtë se do t’i bjerë autoriteti”.

DY PROTOKOLLE

4 shtator 1971

Po lexoj një protokoll të Byrosë Politike të muajit prill 1955. Është diskutuar rreth gabimeve në vijë e qëndrimeve oportuniste të Tuk Jakovës. Shoku Enver ka pyetur, ndërhyrë e diskutuar 151 herë. Qëllimi: dashamirësi e  ndihmë, që Tuku të thellohet në njohjen e gabimeve të tij. Po kështu, kam në duar edhe një protokoll tjetër, ku diskutohet për Bedri Spahiun. Edhe në këtë rast shoku Enver ka pyetur, ndërhyrë e diskutuar 215 herë.

Lexoj dhe them: sa kohë i është dashur për t’i lexuar këto materiale, për të bërë analizë, përgatitje para mbledhjes. Punë voluminoze. Punë kërkimore, përpunim materialesh etj. Me sa durim! …

SHEMBULL KOMUNISTI

14 shtator 1971

Shoku Enver shpesh largohet nga puna tepër vonë, pa folur për vazhdimin e veprimtarisë krijuese në shtëpi deri në orët e vona. Sot u largua nga punët e zyrës në orën 14.05’. Nuk harroi të më thotë “Mirupafshim”! Ndaloi pak e më dha një porosi: Thuaj shokut Surja Malo, (sekretar i organizatës bazë të partisë, ku bën pjesë edhe shoku Enver), a mund të më japë leje sot të mungoj nga mbledhja e organizatës, se kam një punë që s’e lë dot?”

Ia transmentova shokut Surja këtë kërkesë të anëtarit të partisë Enver Hoxha dhe ai, duke buzëqeshur tha: “Të mos vijë. Zakonisht shoku Enver është shumë i rregullt. Edhe pse ka shumë punë, jo vetëm nuk mungon në mbledhjet e organizatës, por dëgjon me vëmendje të madhe e është tepër aktiv. Me diskutimet e tij cilësore na ndihmon shumë edhe neve, që të jemi të rregullt si Ai, aktivë si Ai.

NJË PLAK SHEKULLOR

14 shtator 1971

Një letër nga plaku 100 vjeçar Shuaip Harka nga fshati Vinokash i parë i Përmetit. Njofton shokun Enver se edhe në këtë moshë punon si djalë i ri dhe bën 250 ditë pune në kooperativën e fshatit. Pastaj i shfaq një dëshirë: të vijë në Kongresin VI të Partisë, se do që ta shohë nga afër udhëheqësin e partisë. E ka pikur malli. Thekson se në qoftë se shokët e rrethit nuk do ta ftojnë dhe nuk do ta ndihmojnë me ndonjë mjet, ai do të niset më këmbë për të ardhur në Kongres!

Kur e pa këtë letër shoku Enver, gëzoi për punën e palodhur të këtij plaku 100 vjeçar dhe qeshi me vendimin që ka marrë, për të ardhur më këmbë në Tiranë e për të marrë pjesë në Kongres. Dhe me porosi të tij, plaku erdhi në Kongres jo me këmbë, por me makinë…

MBRËMJE, FESTË

31 dhjetor 1971

Mbrëmje e punonjësve të Aparatit për Vitin e Ri 1972. Me që jam kryetar i Komitetit Profesional të Bashkimeve Profesionale te Aparatit, kam nderin te jem në tavolinn pranë udhëheqjes.

– Sa fëmijë ke, ti Sevo?- më pyet shoku Enver.

– Dy çupa e dy çuna.

– O sa mirë! Qënke i pasur!

– I ka mashkulloritë,- shton shoku Haki Toska.

– Akoma më mirë,- vazhdon shoku Enver.

Dhe mbremja fillon. Shoku Enver ngre dollinë për Vitin e Ri, për Partinë, për shëndetin e punonjësve të Aparatit. Dhe sa ulet, i vërsulen kalamanët që kishin ardhur me prindër në sallë. Kush ta prekte më parë xhaxhin Enver, kush t’i afrohej më shumë. E rrethojnë dhjetra fëmijë. Ai i përgëzon, i pyet dhe del me ta në fotografi. Ç’gëzim i madh për fëmijët dhe prindrit e tyre!

Një vajzë të vogël 4 vjeçare, shoku Enver e merr në duar. Ishte Mamica Myslim Islami.

– Si të quajnë?

– Mamica.

– O sa emër të bukur që ke. Po çdo të hash ti, Mamica?

– Unë dua “të ha ujë”!…

Ajo e di që uji nuk hahet, por u hutua. U ndodh papritur në duar të xhaxhit Enver. E kishte marrë etja për ujë, Mamicën e vogël. Dhe ajo piu ujë me dorën e xhaxhit Enver. Sulua mori një pozë të bukur fotografike, të cilën pata rastin që të shkoj të nesërmen në familjen e Mamicës e ta dorëzoj. Banonim në një shkallë. (Sa keq që i ati i saj kaloi djathtas vite më vonë…)

Gjatë mbrëmjes pati numra artistikë e shoqërorë. Ndër të tjera këndoi një grup nga punonjës të Aparatit. Erdhi në këngë dhe shoku Hysni Kapo. Ai ia merrte e unë ia ktheja, Hulua ia hidhte dhe të tjerët iso. Në tavolina kishte pije, mish thëllëze, lepuri e derri të egër. Shoku Enver zbatonte këshillat e mjekëve dhe nuk hante. Shoku Haki Toska, gjithashtu. Në një moment më tha mua: Haje dhe thëllëzën time, ti Sevo!

NDJENJA NJERËZORE

20 maj 1972

Nxënëses së klasës 6-të të shkolllës “Naim Frashëri” të Gjirokastrës, Merita Sinani, i kishte vdekur nëna e dashur. E mërzitur, ajo i shkroi një letër xhaxhit Enve, ku ndër të tjera shkruan: “Nga gjiri im dhe i familjes sime, u shkëput një pjesë e zemrës,- nëna. Por unë, siç na kini mësuar Ju, xhaxhi Enver, nënë për jetë kam Partinë”. Pasi e lexoi letrën udhëheqësi i partisë, me ndjenja njerëzore, i dashur e i dhëmbshur, i dërgoi këtë letër-përgjigje:

E dashur Merita,

Kur fillova të lexoja letrën që më dërgove, e ndieva veten sikur isha aty, midis jush, nxënësve të shkollës “Naim Frashëri” dhe shikonim së bashku bukurinë e Manalatit dhe pamje të tjera nga qyteti ynë i lashtë i Gjirokastrës. Pastaj jetova çaste në familjen tuaj. U gëzova shumë që ti je nxënëse e shkëlqyer në mësime, që babai, motrat dhe vëllezërit e tu janë mirë me shëndet dhe të gjithë tregoni një dashuri të madhe për Partinë.

Po e dashur vogëlushe, njeriu në jetë nuk ka vetëm gëzime. Atij i qëllon të ketë edhe hidhërime, siç ndodhi kohët e fundit në familjen tuaj, me vdekjen e parakohshme të njeriut më të shtrenjtë në jetë, nënës. Me këtë rast marr pjesë edhe unë në hidhërimin e madh të të gjithë familjes suaj”

Ti, Merita, je akoma e vogël, të ardhmen e ke përpara. Sa punë, suksese e gëzime të presin! Dhe në këtë rrugë, ashtu siç e thua vetë në letër, nënë përjetë do të kesh Partinë. Partia është e do të jetë përjetë me ty, pse ti je e Partisë, bijtë dhe bijat e së cilës e kanë zakon ta mposhtin çdo vështirësi e dhimbje dhe të çajnë gjithnjë përpara…”

Të uroj shëndet dhe suksese në mësime. Shumë të fala babait. Motrat dhe vëllezërit e tu i përqafoj me dashuri. Juaji Enver Hoxha”.

Kur u shtyp kjo përgjigje dhe do t’i dërgohej vogëlushes në Gjirokastër, shoku Enver vuri re dhe korrigjoi një gabim daktilografik e pastaj do të vinte firmën. Gabimi ishte ky: një herë ishte bërë klasa e 5-të, një herë klasa e 6-të!? Sekretarisë ky gabim “i vogël” i shpëtoi, por shokut Enver, jo!

NDËRHYRJE E DREJTË

5 qershor 1972

Sot mori një letër nga një pensionist 70 vjeçar. Ai i shkruan për një problem që e shqetëson. Në Dibrën e Madhe ka një motër, që është 90 vjeç dhe dëshiron të shkojë e ta takojë, se “nuk dihet”, është në momentet e fundit të jetës. Ministria e Jashtme nuk i jep vizë se “ka shumë kërkesa dhe akoma nuk i ka ardhur radha”! Shoku Enver e lexoi këtë letër dhe nuk e quajti një gjë “të vogël”. Porositi në mënyrë të prerë: “T’i jepet viza, le të presin të tjerët, këtij po i vdes motra 90 vjeçare. Të bukur arsyetim që më jipni”.

Kjo porosi iu transmetua Ministrisë së Jashtme dhe ankuesi mori menjëherë vizën.

BESIMI TE ENVERI

28 qershor 1972

Shokut Enver i erdhi sot një letër nga maturantët e shkollës “Luigj Gurakuqi” të Elbasanit, ata i shkruajnë se “katër vjet më parë kishin vendosur që, kur të mbarojnë shkollën e mesme, të bëjnë një ekskursion mësimor nëpër Shqipëri”. Por tani që erdhi koha për ta zbatuar këtë nismë, hasin në një vështirësi: nuk u jepet autobus! Kanë mbledhur edhe lekët. Ku nuk kanë vajtur, por kërkesën për një autobus që e paguajnë nga xhepi, nuk ua zgjidh njeri! Trokitën edhe në zyrat e Ministrisë së Komunikacionit,

Mbi letrën e tyre udhëheqësi i partisë shënoi: “T’i thuhet shokut Milo Qirko, t’u japë një autobus, siç e kërkojnë këta mësues të rinj”

TË MBAJMË DITAR

30 shkurt 1973

Mbledhja e organizatës bazë të Partisë. Ndër të tjera shtrohet edhe një pikë interesante: ne që kemi nderin të punojmë pranë shokut Enver, a nuk do të jetë mirë të mbajmë shënime nga jeta dhe puna e tij? Kush më mirë se ne mund ta kryej këtë punë? Rastet nuk na mungojnë. Nuk e kemi diskutuar ndonjëherë këtë çështje. Shokët diskutojnë dhe janë dakord. Një detyrë të tillë e vlerësojmë drejt. Mundësitë i kemi. Kërkohen vetëm:  kuptim, kujdes, pasion, metodë. Këtë detyrë unë e kam filluar me kohë.

POROSI ME VLERË

12 mars 1973

Duke dalë nga zyra për në shtëpi, shoku Enver ndaloi te dera dhe m’u drejtua me këto fjalë:

– Ti, Sevo, ke bërë një temë të bukur për rininë. Më thanë se është pëlqyer. Ke bërë mirë që e ke trajtuar temën e dashurisë. Është një problem shoqëror, që na prek të gjithëve. Është interesante, sidomos për të rinjtë, të cilët mësojnë, punojnë, por edhe do të dashurohen e do krijojnë familje. Marrëdhëniet djem-vajza e krijimi i familjes socialiste, u duhen sqaruar të gjithëve, veçanërisht rinisë. Për këtë ne kemi mësimet e Partisë, kemi normat e moralit komunist.

Ndërsa dëgjoja me vëmendje këto fjalë, mendoja: nga e ka marrë vesh shoku Enver bisedën time me këtë temë? Më vonë do ta kuptoja, se temën për dashurinë, bashkë me gratë e kryeqytetit, e dëgjoi edhe shoqja Vito Kapo. Kjo do t’i ketë thënë shokut Hysni dhe ky Komandantit.

“Mësimet e partisë janë për një dashuri në kuptim të gjerë të fjalës, vazhdoi të më thotë shoku Enver: dashuri për Atdheun, për popullin, për mësimin, për punën, për pronën shoqërore, për profesionin etj. Por edhe dashuri e sinqertë midis të rinjve e të rejave, për të krijuar familje të shëndoshë. Dashuri bashkëshortore. Dashuri  e marrëdhënie të drejta midis pjesëtarëve të familjes. Dashuri e respekt shoqëror me fqinjtë, me shokët e shoqet e punës etj. Të gjitha këto na japin dashurinë në kuptimin e gjerë të fjalës, në bazë të ideologjisë e të moralit proletar.

Më vjen mirë, që ti, Sevo punon me rininë. Prandaj, edhe temën e dashurisë vazhdoje, përpunoje, se rinia ka nevojë për tema të tilla. Nuk duhet të kemi frikë të flasim e të shkruajmë për dashurinë, për këtë ndjenjë të bukur e të madhe njerëzore.