Published On: Mar, Qer 19th, 2018

Të dhënat e INSTAT, shitjet në stanjacion/ Qytetarët shtrëngojnë rripat

Instituti i Statistikave raportoi se shitjet e bizneseve në tremujorin e parë të vitit u rritën me vetëm 1.5 për qind krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë, çka përbën një nga rritjet me të ulëta gjatë viteve të fundit.

Të dhënat e detajuara tregojnë se shitjet kanë qenë në stanjacion thuajse për të gjitha llojet e produkteve, çka dëshmon se kriza e konsumit në ekonomi është e gjerë dhe qytetarët kanë shtrënguar shpenzimet, qoftë për ushqimet bazë, qoftë për artikujt jo ushqimorë.

“Grupet të cilat kanë ndikuar janë: grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” +0,1 pikë përqindje, grupi “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” +1,2 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” +0,2 pikë përqindje,” raportoi INSTAT.