Published On: Hën, Gus 14th, 2017

Taksat për sektorin e turizmit u ulën, por hotelet ‘fjetën’

​Ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për sektorin e turizmit nuk solli çmime më të lira për qytetarët. Përfundimi konfirmohet nga Instituti i Statistikave.Ulja e TVSH-së për fjetjen ka hyrë në fuqi që nga 1 qershori i këtij viti.

Në dy muajt e fundit, pra qershor dhe korrik, Tatimet kanë zbatuar taksën e reduktuar, ndaj dhe hotelet në vend të taksës 20 për qind që paguanin më parë, kanë paguar vetëm 6 për qind.

Por sipas Institutit të Statistikave, pavarësisht uljes me 3 herë të taksave, çmimet e fjetjes në hotele mbetën të pandryshuara, si në qershor, ashtu dhe në korrik.

Ulja me 14 pikë përqindjeje e TVSH-së duhej të kishte sjellë rënien në të njëjtën masë të çmimeve, që qytetarët dhe turistët paguajnë për të fjetur në hotel. Për një hotel, i cili kushton 50 euro në natë, çmimi duhej të ishte ulur me 7 euro. Por kjo nuk ka ndodhur, pasi ulja e taksës është mbajtur e gjitha si fitim nga pronarët e hoteleve dhe njësive të tjera akomoduese.

Shoqata shqiptare e Turizmit dhe ajo e Hotelierëve lobuan fort për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas tyre, TVSH-ja 20% mbante të larta kostot e hoteleve në Shqipëri, duke e vënë industrinë e turizmit në disavantazh me vendet e tjera të rajonit, që kanë TVSH më të ulët.

Por siç tregojnë shifrat e INSTAT-it, ulja e taksës nuk është përdorur për të ulur kostot e fjetjes në hotel, që turizmi shqiptar të jetë më konkurrues, por është mbajtur si fitim shtesë nga pronarët e hoteleve.

Madje, një kontroll i Tatimeve gjatë muajit të fundit ka gjetur se, gati gjysma e bizneseve të turizmit, veçanërisht hotelet dhe restorantet janë në informalitet dhe, ndonëse i mbledhin taksat nga qytetarët, nuk i derdhin ato në buxhet. /Tch