Published On: Pre, Mar 30th, 2018

Taksa e lartë në rrugën e Kombit, turistët nga Kosova “braktisin” Durrësin

Share This
Tags

Qytetarët e Kosovës, të cilët janë edhe “turistët” më patriotikë të Shqipërisë dhe bregdetit Adriatik, janë mërzitur nga vendosja e taksës në Rrugën e Kombit.

Në ditën e dytë të aplikimit të kësaj takse në tunelin e Thirrës në Kukës, e cila përkon me fundjavën e fundit të marsit si dhe e shoqëruar me diell e temperatura të larta, numri i kosovarëve të mbërritur në plazhin e Durrësit është në minimumin e tyre historik.

Autobusët kanë mbërritur bosh në Durrës, bëjnë me dije agjencitë turistike. “Zemërimi i kosovarëve është i madh”, thonë shoferët e autobusëve të Kosovës, të cilët kanë paguar taksën e hyrjes 11 euro e 30 cent në kufi.

Vendosja e kësaj takse në këtë segment është shumë e shtrenjtë dhe frenon ardhjen e pushuesve. “Qeveria shqiptare duhet të rishikojë taksën”, është apeli i çdo biznesi në plazh, duke nisur që nga hotelet e deri tek subjektet e vegjël sezonalë.

Nëse pushuesit nga Kosova nuk do të vijnë në plazh, subjektet e plazhit falimentojnë të gjithë.
Dy të rinj nga Kosova, Muhamed Bajrami i cili sapo ka përfunduar Ekonomikun në Padova, dhe inxhinieri Mustafa Pashtriku, po kthehen në Prishtinë.

“Kostoja 10 Euro për një veturë të Kosovës vajtje – ardhje, është po aq e shtrenjtë sa për banorët e Kukësit, sepse Shqipëria dhe Kosova kanë pagat më ulëta në rajon si për sektorin privat, ashtu edhe për administratën publike”, argumentojnë ata për “News 24”.

Por edhe biznesi ka rritje kostosh me vendosjen e taksave të tilla të pastudiuara.

Shumica e familjeve të Kosovës kanë paga që variojnë nga 250 deri në 350 Euro në muaj. 10 euro taksë veture, aq sa shpenzojnë për karburantin të vijnë nga Kosova në Durrës, konsiderohet e lartë dhe e tepërt për Rrugën e Kombit, që sipas tyre u ndërtua të bashkojë e jo të ndajë popullin shqiptar në dy pjesë.