Suedia në çerekfinale, shqiptarët e Zvicrës të pafat -Albpress Daily News
Published On: Mar, Kor 3rd, 2018

Suedia në çerekfinale, shqiptarët e Zvicrës të pafat

Zvicra bëri lojë të mirë, por nuk ia doli në përballjen me Suedinë, duke pësuar humbje me rezultatin minimal 1:0, në ndeshjen e 1/8 të finales së Kampionatit Botëror – “Rusia 2018”. Suedia u tregua shumë e fortë sidomos me mbrojtje të jashtëzakonshme, duke bllokuar shumicën e goditjeve nga ana e sulmuesve zviceran.

Në minutën e 90+3, Lang i Zvicrës përjashtohet me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj lojtarit suedez.

Gjyqtari Skomina gjykoi penallti por pas konsolidimit me sistemin e varit e anuloi atë për faktin se ndërhyrja ishte jashtë 16-shit.

Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami e Blerim Xhemaili luajtën titullarë. Ky i fundit u zëvendësua në minutën e 73-të. Zvicra përkundër eliminimit, duhet të jetë krenare për lojërat e mira që dëshmuan, por me Suedinë nuk i eci fati. Në minutën e 7-të, Zuber gjuajti por shumë plogësht dhe topi shkoi në duart e portierit Olsen. Pas një minute (8’) Berg në pozitë të volitshme dhe i vetëm, gjuajti jashtë portës. Sërish Berg por i ngathët dhe me fat të madh zviceranët.

Në minutën e 11-të, një pasim fantastik nga ana e Shaqirit, por Xhemaili u vonua dhe rasti shkoi huq. Shaqiri në minutën e 14-të, nga rreth 25 metra dërgoi një goditje, por për fat të portierit Olsen topi shkoi jashtë portës.

Një veprim i mirë i Shaqirit në minutën e 24-të, harkoi për bukuri, por Zuber me kokë gjuajti larg mbi portë. Portieri Sommer tregoi klasin e tij, shpëtoi portën e tij pas goditjes së Forsberg pikërisht në minutën e 28-të.

Granit Xhaka mjaft i lëvizshëm, në minutën e 34-të, nga rreth 35 metra gjuajti mbi portën e Olsenit. Në minutën e 38-të, një kombinim i bukur mes Zuber e Xhemailit, por ky i fundit nga një pozitë ideale nga rreth 14 metra gjuajti larg mbi portë.

Në minutën e 40-të, Forsberg gjuan nga goditja e lirë rreth 25 metra, topi devijohet gati sa nuk futet në rrjetë. Pas një minute Ekdal nga rreth 6-7 metra gjuajti fortë, por për fat të mirë të Zvicrës larg mbi portë. Në pjesën e dytë përkatësisht në minutën e 49-të, Toivonen nga një pozitë e mirë gjuan larg mbi portë.

Në minutën e 67-të, Zvicra pësoi golin e nokautit. Këmbëshpejti Emil Forsberg goditi fortë nga rreth 17 metra, por Manuel Akanji ndërroi kahjen e topit dhe topi futet në rrjetën e portieri Sommer, 1:0. Rast i mirë për Zvicrën në minutën e 79-të, por harkimin nga korneri, Embolo nuk e finalizoi në gol. Në minutën e fundit, Suedia ishte me fat, pasi që Rodriguez goditi bukur por portieri Olsen reagon edhe më bukur.

Në minutën e 90+3, gjyqtari slloven Skomina pasi referon penallti e anulon atë, pasi u konsultua me sistemin e varit sepse ndërhyrja ishte jashtë 16-shit, por me këtë rast me karton të kuq u ndëshkua Lang i Zvicrës.

Zvicra kishte kaluar grupin E, duke zënë vendin e dytë me 5 pikë, pasi kishte barazuar 1:1 me Brazilin, mundi 2:1 Serbinë dhe kishte barazuar 2:2 me Kosta Rikën, së fundi në të tetën e finales, mundet me 1:0 nga Suedia.

Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Blerim Xhemaili shënuan nga një gol në Kupën e Botës.

Suedia-Zvicra 1:0

Stadiumi St. Petersburg.

Shikues: 65.000.

Gjyqtar: D. Skomina (Sllovenia).

Shënues: Forsberg (67’).

Kartonat e verdhë: Lustig-Behrami, Xhaka.

Kartoni i kuq: Lang.

Suedia: Olsen, Lustig (Krafth 82’), Lindelof, Granqvist, Augustinsson, Claesson, Svensson, Ekdal, Forsberg (Olsson 82’), Berg (Thelin 90’)dhe Toivonen.

Zvicra: Sommer, Lang, Djourou, Akanji, Rodriguez, Behrami, Xhaka, Shaqiri, Xhemaili (Seferoviç 73’), Zuber (Embolo 73’) dhe Drmiç.

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of