Skandali i radhës/Checkup falas, kompania investoi 227 mijë euro, fitoi 885 mijë euro -Albpress Daily News
Published On: Sht, Mar 10th, 2018

Skandali i radhës/Checkup falas, kompania investoi 227 mijë euro, fitoi 885 mijë euro

Shpërndaj
Tags

Kontratat e Partneritetit Publik Privat në sektorin e shëndetësisë kanë rezultuar biznese me norma të jashtëzakonshme fitimi për kompanitë që i kanë marrë ato.
Top Channel shqyrtoi bilancet e koncesionit të shumëpërfolur të kontrollit mjekësor bazë, i njohur ndryshe si check up.

Të dhënat nga bilancet zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se në vetëm dy vjet kompania 3P Life Logistics ka realizuar një fitim 4 herë më të lartë se sa paratë e investuara nga pronarët e saj.

3P Life Logistics është një kompani e krijuar në dhjetor 2014 për të zbatuar koncesionin 10 vjeçar të check up-it, që ju dha nga ministria e shëndetësisë, në atë kohë e drejtuar nga Ilir Beqja. Pjesa dërrmuese e këtij koncesioni, 80 për qind e tij zotërohen nga biznesmenja Vilma Nushi, ndërsa 20 për qindëshi tjetër nga Trimed shpk me ortak Shani Peposhin dhe Dominic Evans.

Në vitin 2014 këta aksionerë investuan gjithsej 227 mijë euro si kapital për ngritjen e biznesit. Por vetëm në vitin e parë, koncesioni jo vetëm që e shleu plotësisht investimin por e tejkaloi atë. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2015, ndonëse e filloi aktivitetin në mesin e vitit, koncesioni i check upit realizoi një fitim neto prej 350 mijë eurosh.

Të dhënat tregojnë se fitimet u rritën më tej në vitin e dytë. Për 2016-ën fitimi neto i kompanisë rezultoi 535 mijë euro. Kjo e con vlerën totale të fitimeve neto të chek upit në 885 mijë euro, për vetëm dy vjet. Pra e thënë ndryshe në vetëm dy vjet, aksionerët e koncesionit të chek upit kanë fituar gati 4 herë më shumë para se sa kanë investuar.

Dokumentat tregojnë se të gjitha fitimet kanë shkuar për rritjen e kapitalit, një manovër ligjore kontabël që zakonisht përdoret për të shtyrë në kohë pagesën e taksës mbi dividentin. Përgjithësisht një biznes konsiderohet shumë i sukseshëm nëse arrin të kthejë investimin brenda një periudhë 5 deri në 7-vjeçare. Koncesioni i check up-it e ka shlyer brenda vitit të parë dhe tani vazhdon të prodhojë fitime neto për aksionerët, të cilat paguhen nga buxheti i shtetit me paratë e taksapaguesve.