Situata e zjarreve/Vasili: Vendi digjet, Rama krihet... -Albpress Daily News
Published On: Enj, Gus 3rd, 2017

Situata e zjarreve/Vasili: Vendi digjet, Rama krihet…

Kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili ka reaguar ashpër kundër kryeministrit Rama, i cili ka marrë pushimet e tij verore në vetëm 3 ditë më parë.

Përmes një postimi në rrjetin social, Vasili ironizon kreun e qeverisë duke shkruar se teksa Shqipëria po digjet, kryeministri nuk ka lëvizur asnjë mekanizëm për të vënë nën kontroll flakët.

Pse nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme, ku është shtabi qeveritar i emergjencës pyet Vasili. Ish kreu i LSI-së rikujton një varg të Migjenit duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e kryeministrit në lidhje me menaxhimin e vatrave të shumta të zjarrit që kanë pushtuar vendin.

POSTIMI:

Situatë e jashtëzakonshme, Shqipëria në flakë.

Zjarre të frikshme që po asgjesojnë pasuri natyrore dhe prona të qytetarëve.

Aleanca e kryeministrit me qytetarët thjesht një demagogji mizore, hipokrite, frikacake.

1. Ku është qeveria?

2. Pse nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme?

3. Ku është shtabi qeveritar i emergjencës?

4. Ku është shteti që, në këto ditë të rënda, duhej të ishte i gjithi në këmbë?

Apo le të digjet vendi dhe pastaj vjen kryeministri për ngushëllim dhe qan me kujë?

Shqipëria digjet, kryeministri krihet.

“Deri kur kështu ma?”, thoshte Migjeni i madh.