Siri, rrëzohet avioni rus, 15 viktima -Albpress Daily News
Published On: Mër, Sht 19th, 2018

Siri, rrëzohet avioni rus, 15 viktima

Një avion ushtarak rus u godit pranë qytetit të Latakisë, në Siri.

Izraeli thotë se Damasku duhet të fajësohet për vdekjen e 15 ushtarakëve rusë të qëlluar nga forcat siriane direkt pas sulmit ajror në qytetin e Latakisë. Izraeli “shprehu pikëllimin” për vdekjet, por fajësoi forcat ushtarake siriane për mungesë aftësie dhe kujdesi në menaxhimin e armëve kundra-ajrore.

Aeroplani Il-20 u rrëzua në Detin Mesdhe të hënën në mbrëmje. Rusia fillimisht fajësoi veprimet izraelite si “të papërgjegjshme”, por Presidenti Vladimir Putin më pas u shpreh se ishte “një zinxhir rrethanash tragjike aksidentale” që shkaktuan goditjen e avionit rus.

Moska po mbështet Presidentin Bashar al-Assad në luftën civile të Sirisë. Ndërkohë, agjencia e lajmeve Tass tha se aeroplani Ilyushin Il-20 është “zhdukur gjatë një sulmi nga katër aeroplanë izraelitë F-16 në objektet siriane në provincën Latakia”.

Rënia raportohet të ketë ndodhur rreth 35 km nga bregu sirian, pasi avioni po kthehej në bazën ajrore të Hmeimim të Rusisë, pranë Latakia. Megjithatë, ende nuk ka një variant përfundimtar për ngjarjen.

Ky incident ndodh direkt pas marrëveshjes Rusi-Turqi për çmilitarizimin e zonës së Idlibit në Siri.

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of