Siguracioni i makinave, dalin shifrat se sa do të paguani -Albpress Daily News
Published On: Mër, Pri 11th, 2018

Siguracioni i makinave, dalin shifrat se sa do të paguani

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar primin e rrezikut për sigurimin e detyrueshëm motorik për çdo kategori mjeti për të gjithë tipat e automjeteve.
Në raport me një vit më parë vihet re një rënie e lehtë e tarifës “dysheme” që caktohet nga autoriteti mbi të cilin më pas kompanitë e sigurimeve shtojnë kostot dhe fitimit për të arritur në një çmim final që është i shitjes së policave në treg. Sipas logjikës ekonomike ulja e çmimit nga AMF duhet të pasqyrohet në uljen e tarifës së sigurimit të detyrueshëm të automjeteve dhe kartonit jeshil. Tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik është i liberalizuar dhe AMF nuk mund të ndërhyjë në përcaktimin e çmimeve, orientimi jepet përmes primeve të rrezikut që shërbejnë edhe për përllogaritjen e provigjoneve.

Tabelat

“Gazeta Shqiptare” ka siguruar tarifat e reja të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Për vitin 2018, primi i rrezikut (që merr parasysh shpenzimet operative të kompanisë dhe dëmet) ka regjistruar një ulje të lehtë në raport me vitin 2017. Konkretisht për kategorinë e motoçikletave primi i riskut për ato me kubikazh deri në 150 cm3 është 3 mijë lekë kurse për ato mbi këtë kubikazh, 4500 lekë. Një vit më parë, primi i riskut për këto kategori ishte respektivisht 3000 lekë për të parën dhe 4800 lekë për të dytën. Lidhur me autoveturat, për ato me kubikazh deri në 1600 cm3, primi i rrezikut për llogaritjen e nivelit të provigjoneve të sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta është 6500 lekë për vitin 2018 nga 7000 lekë që ishte një vit më parë.

Kurse për mjetet mbi 1600 cm3, primi është 9000 mijë lekë kur një vit më parë ishte 1000 lekë më shumë. Për furgonët dhe mikrobusët ka, gjithashtu, një rënie në primin e rrezikut ku për ato me 5-8 vende vlera është 12 500 lekë kurse për ato me 8-15 vende 17 000 lekë. Një vit më parë, referuar tabelës zyrtare primi i rrezikut ishte respektivisht 14 000 dhe 19 000 lekë. Ulje ka edhe në kategoritë e tjera që përfshijnë kamionçinat, kamionët apo mjetet bujqësore dhe zjarrfikëset.

Vendimet e AMF-së

1. Miratimin e tabelës së primit të rrezikut për llogaritjen e nivelit të provigjoneve të sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti për kontratat TPL të sigurimit.

2. Miratimin e tabelës së primit të rrezikut për llogaritjen e nivelit të provigjoneve të sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti për kontratat kufitare të sigurimit.

3. Miratimin e tabelës së primit të rrezikut për llogaritjen e nivelit të provigjoneve të sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti për kontratat kartonin jeshil të sigurimit.