Si mund të shlyeni taksat e automjeteve dhe gjobat, procedura e re -Albpress Daily News
Published On: Sht, Mar 31st, 2018

Si mund të shlyeni taksat e automjeteve dhe gjobat, procedura e re

Portal qeveritar “e-Albania” së shpeti do të zgjerojë gamën e shërbimeve të ofruara për qytetarët.
Kështu, nëpërmjet portalit në rubrikën “e-Pagesat”, qytetarët mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike, gjobat për kundërvajtje rrugore, taksat e automjeteve e deri te aplikimi për leje qarkullimi ndërkombëtare. Gjithashtu, nëpër-mjet shërbimeve të reja qytetarët e Durrësit si dhe bizneset që operojnë në këtë qytet mund të paguajnë taksat dhe tarifat vendore në Bashkinë Durrës. Fatura e energjisë elektrike shlyhet në “e-Albania” dhe ky shërbim elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, të gjenerojnë faturat e papaguara dhe kamatëvonesat e energjisë elektrike dhe t’i paguajnë ato ‘online’.

Taksat e automjeteve

Ky shërbim elektronik mundëson publikimin ‘online’ të taksave të automjeteve në zotërim të qytetarëve dhe bizneseve (Ligji nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për Taksat Kombëtare”, i ndryshuar), duke u mundësuar gjithashtu t’i paguajnë ato ‘online’. Në rastin kur shërbimi shfaq: “Nuk ka të dhëna!”, arsyet e mosshfaqjes së të dhënave janë: nuk ka automjete të regjistruara në pronësi të qytetarit, ekzistojnë raste kur ka automjete të regjistruara në pronësi të qytetarit, por në të dhënat e pronarit nuk është i regjistruar NID-i i tij. Në këto raste lutemi që qytetari të drejtohet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor për të regjistruar me NID (numrin e identifikimit) ose me emër/atësi/mbiemër automjetin/et e tij.

Gjobat

“Gjobat e kontrollit në rrugë nga DPSHTRR” është një shërbim elektronik, i cili u mundëson zotëruesve të automjeteve të shohin ‘online’ gjobat e kontrollit në rrugë të DPSHTRR-së dhe t’i paguajnë ato ‘online’. Gjithashtu, në portalin ‘e-Albania’ mund të aplikoni për çregjistrimin e përhershëm të mjetit. Shërbimi “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti” është një shërbim elektronik, i cili u mundëson zotëruesve të automjeteve të aplikojnë ‘online’ për çregjistrim të përhershëm të mjetit si dhe të kryejnë ‘online’ pagesën përkatëse për aplikimin. Çregjistrimi i mjeteve rrugore kryhet në zbatim të Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, VKM Nr. 153, datë 07.04.2000 “Për Miratimin e Rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Udhëzimit Nr.01, datë 18.01.2012 “Mbi Dokumentacionin e Qarkullimit dhe Regjistrimit të Mjeteve Rrugore me Motor dhe Rimorkiove të Tyre”, i ndryshuar”. /GSH/