Shumë biznese shqiptare e nisin vitin me 22% rritje të energjisë elektrike -Albpress Daily News
Published On: Mër, Jan 24th, 2018

Shumë biznese shqiptare e nisin vitin me 22% rritje të energjisë elektrike

Shpërndaj
Tags

90 bizneset që furnizohen në nivelin e tensionit 35 kilovolt do ta blejnë energjinë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me çmim 11.6 lekë për kilovatorë në muajin janar (pa TVSH), nga 9.5 lekë/kvh, që e kishin blerë deri në dhjetor, me një rritje prej 22%.
Duke përfshirë dhe TVSH-në, çmimi shkon në 13.92 lekë/kvh. Edhe në muajin shkurt do të kenë mundësi që të blejnë energjinë nga OSHEE me çmim të përafërt me janarin. Nëse deri në fund të shkurtit nuk kanë arritur që të shkëputen nga OSHEE dhe të gjejnë një furnizues alternativ, pjesës më të madhe të tyre (me përjashtim të 8 institucioneve buxhetore, kryesisht ujësjellës) do t’u ndërpritet energjia dhe do të mbeten pa furnizim.

Kjo lëvizje vjen në kuadër të procesit të liberalizimit të energjisë, të parashikuar në nenin 109 të ligjit 43 të vitit 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili parashikonte që bizneset që furnizoheshin në 35 kv do të duhet të dilnin në treg të pavarur deri në 30 qershor 2016, por që ligji u shty disa herë dhe filloi zbatimin në 1 janar 2018. Deri në fund të vitit 2018 do të duhet të dalin edhe bizneset e linjës 20 kv, ku janë rreth 1,000 të tillë.

Por, bizneset nuk duket se e kanë marrë seriozisht kërkimin për një furnizues alternativ. Elton Sevrani, Drejtori i Shitjes dhe Tregtimit të energjisë në OSHEE, tha për “Monitor” se deri tani asnjë biznes nuk ka dalë aktualisht nga rrjeti i OSHEE. Ka pasur 10 kërkesa dhe 6 kontrata janë gati, por asnjë nga bizneset nuk ka sjellë deri tani një listë të furnitorëve alternativë.

Në janar, thotë Sevrani, bizneset zgjodhën të furnizoheshin nga OSHEE me çmim më të shtrenjtë, edhe pse nëse do të kishin dalë të siguronin vetë energjinë në treg të lirë do e kishin blerë, në bazë të çmimeve të tregut, me 10.3 lekë/kvh.

Në janar OSHEE u shiti energjinë bizneseve me çmim të llogaritur sipas metodologjisë së Entit Rregullator të Energjisë, sipas formulës më poshtë:

-çmim i blerjes në tregun e rregulluar 8.5 lekë/kvh

-kosto direkte e furnizimit me pakicë (10%) 0.85 lekë/kvh

-Tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit 0.75 lekë/kvh

-Tarifa e përdorimit të shpërndarjes 1.5 lekë/kvh

Çmimi i energjisë aktive 11.6 lekë/kvh

Në fund të këtij muaji, OSHEE do t’u dërgojë shkresën e tretë bizzneseve ku do i rikonfirmojë çmimin për muajin janar, do u bëhet i ditur çmimi i faturimit për muajin shkurt dhe do të njoftohen që të marrin masat për gjetjen e një furnizuesi alternativ brenda datës 15 shkurt. Kjo bëhet me qëllim që në përputhje me rregulloren dhe ndryshimin e furnizuesit, OSHEE të marrë masat, në të kundërt do të bëhet stakimi i furnizimit.

Nëse bizneset nuk gjejnë asnjë furnizues tjetër, ligji nuk parashikon asnjë alternativë përveç ndërprerjes së energjisë elektrike për subjektin në fjalë.

Sevrani e pranon se situata është e komplikuar, por OSHEE është e detyruar që të veprojë në përputhje me ligjin për liberalizimin e tregut, i cili ka qenë një rekomandim i institucioneve ndërkombëtare. Zgjidhja e vetme për bizneset është që të adresohen direkt te furnizuesit alternativë (tregtuesit e energjisë). Por, furnizimi ka elementë të ndërlikuar teknikë. Bizneset nuk i dinë rregullat e tregtimit të energjisë, si balancat apo disbalancat. Nnë rastet kur falimenton furnizuesi, procedurat mund të jenë të gjata dhe rrezikohet furnizimi. Në kahun tjetër edhe furnizuesi nuk ka shumë leverdi të negociojë me subjekte që nuk kanë konsum të lartë energjie.

Një tjetër problem është fakti që nga 83 bizneset që do dalin në treg të lirë, 20 prej tyre janë debitorë ndaj OSHEE dhe paguajnë me këste. Kjo është zgjidhur me një akt-marrëveshjë të parashikuar mes tre palëve, ku OSHEE i lind e drejta të ndërpresë energjinë në rast se subjekti nuk paguan këstet apo energjinë deri në momentin që ka qenë i lidhur me OSHEE.

Në janar, OSHEE e bleu nga importi energjisë që i duhej për të furnizuar këto biznese, ndërsa në shkurt nuk do t’i drejtohet importit, pasi për shkak të situatës së mirë hidrike do ta sigurojë nga HEC-et e vogla.

Në afatin e shkurtër bizneset mund të kenë probleme, por në afat të gjatë, thotë Sevrani, kjo mund të çojë në ndryshim të sjelljes së tyre për të qenë më eficientë. Ai përmend rastin e Kurum, që prodhonte natën, kur energjia ishte më e lirë.

Sevrani propozon edhe një variant B, nëse nuk arrihet dalja e tyre në treg të lirë deri në fund të shkurti, që të përshpejtohet procesi i ndarjes së OSHEE dhe me krijimin e divizionit të tregtimit të OSHEE, dhe të jetë ky i fundit që të furnizojë direkt bizneset në formë të parregulluar.

Gjithsesi, bizneset, fillimisht ata të tensionit 35 kv dhe më pas të tjerët, duhet të përgatiten që ata do e blejnë energjinë me çmime tregu, që mund të jenë të luhatshme përgjatë gjithë vitit dhe që në periudha krize mund të shtrenjtohen e t’i kalojnë 15 lekë/kvh, ashtu siç mund ta blejnë më lirë se 10 lekë/ kvh në periudha të mira të prodhimit të energjisë. Por, ashtu si lëndët e tjera të para, energjia nuk do të ketë më kosto fikse dhe subjektet nuk do të jenë të mbrojtur nga luhatjet e tregut të çmimit të energjisë. Këtë do të duhet ta mbajnë parasysh çdo fillim viti, kur bëjnë parashikimet për kostot e pritshme të aktivitetit./Monitor