Published On: Mër, Maj 9th, 2018

Shqiptarët popull optimist, Raporti: Brezat e ardhshëm do kenë një jetë më të mirë

Një raport i Bankës Botërore që mban titullin: “Lëvizshmëria ekonomike mes gjeneratave nëpër botë”, nxjerr në pah të dhëna mjaft interesante.

Shqiptarët figurojnë ndër popujt më optimist në botë. Por kjo më shumë se sa rrjedhojë e perceptimit për të ardhmen duket se është rrjedhojë e bindjes se e shkuara ka qenë mjaftueshëm e zymtë.

Raporti është ndërtuar kryesisht në formën e një ankete dhe tregon se, pjesa dërrmuese e shqiptarëve, mbi 50%, janë të bindur se kanë pasur një jetë më të mirë se prindërit e tyre. Norma, e ilustruar me ngjyrën bojëqielli në grafik është ndër më të lartat në rajonin e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore si dhe norma më e lartë në Ballkanin Perëndimor.

Pyetjes tjetër, se a besojnë se fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të mirë se ta, pjesa dërrmuese e shqiptarëve i përgjigjen me dakordësi. Kjo normë fiksohet në rreth 75%, duke bërë që Shqipëria të jetë e 4-ta në renditje. Praktikisht, optimizmi i shtyn shqiptarët që të mendojnë se brezat e ardhshëm do të kenë një jetë më të mirë se jeta e tyre apo edhe e brezave të kaluar.

Optimizmi mesa duket nuk është vetëm rrjedhojë e historisë, por edhe element gjenetik, pasi menjëherë pas nesh në renditje në rajon vjen Kosova. Banka Botërore tregon kështu se, italianët dhe grekët janë të bindur se brezat e ardhshëm do të kenë një jetë më të keqe se brezat aktual. Vetëm 20% e tyre besojnë të anasjelltën.

Në terma të përgjithshëm, Banka Botërore thotë  se, tranzicioni ekonomik mes brezave ka ngecur në 30 vitet e fundit. Ky ndërkohë nuk është rasti i Shqipërisë, që klasifikohet si një ndër vendet me nivelin më të lartë të tranzicionit mes brezave, gjë të cilën e ilustron mjaft mirë edhe ky grafik, që e vendos vendin tonë në krye të klasifikimit.

Diçka e tillë është me mjaft rëndësi për ekonomitë në zhvillim thotë Banka Botërore, pasi në vendet e varfra, fëmijët që lindin në familje të varfra, kanë shumë gjasa të kenë një jetë të njëjtë me prindërit e tyre, për shkak të mungesës së shanseve të barabarta. Ky, duket se nuk është rasti i Shqipërisë./scan