Shqipëria gati të marrë azilkërkuesit që refuzohen nga BE në shkëmbim të negociatave -Albpress Daily News
Published On: Sht, Qer 9th, 2018

Shqipëria gati të marrë azilkërkuesit që refuzohen nga BE në shkëmbim të negociatave

Shqipëria mbështet një iniciativë të Austrisë dhe Danimarkës për të ngritur një qendër azilkërkuesish të refuzuar në vendet jashtë BE.

“Shqipëria është e gatshme të mbështesë çdo iniciativë të tillë”, tha të premten Zv.ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Romina Kuko, sipas gazetës austriake Kurier.

Kuko nuk mund të thoshte nëse Shqipëria do të ishte vendi për një qendër të tillë, pasi “së pari duhet ta diskutojmë këtë me shtetet fqinje, siç është Maqedonia” tha Kuko.

Kjo çështje u diskutua zyrtarisht në Sarajevë, aty ku u zhvillua një takim i veçantë për të kontrolluar emigrimin e paligjshëm përgjatë rrugës së Ballkanit të enjten e kaluar.

Në këmbim të kësaj, Shqipëria duket se kërkon hapjen e negociatave.

Sipas gazetës, Kuko i sheh përpjekjet e “Shqipërisë në kuadër të vendimit për hapjen e negociatave”. “BE ka nevojë për një partner të sigurt. Hapja e negociatave do ndihmonte,” tha ajo.

Austria dhe Danimarka kanë propozuar që të ngrihet një qendër për ata që u refuzohet azili në BE, në një nga vendet europiane që nuk është shumë tërheqës për emigrantët.