Published On: Mër, Mar 7th, 2018

Shqipëria destinacioni i preferuar nga norvegjezët

2018 duket se do të jetë një vit rekordesh për turizmin norvegjez, kur vjen puna tek pushimet verore.
Të dhënat e agjencive turistike flasin për prenotime të shumta me një rritje të paktën 10% për paketat e plota të udhëtimit.

Teksa shtetet më popullore janë Spanja, Greqia, Kroacia dhe Bullgaria, këtë vit është një destinacion i ri që po fiton të gjithë vëmendjen e turistëve: Shqipëria.

“Shqipëria duket se do të jetë një nga destinacionet e preferuara të norvegjezëve për pushimet verore. Deri më tani kemi parë një rritje prej 400% në numrin e paketave turistike të rezervuara drejt Shqipërisë krahasuar me vitin e kaluar dhe mendoj se ky numër do të shohë vetëm rritje”, thotë Terje Berge.

Berge shton se Shqipëria është drejt rrugës së të shndërruarit në Kroacinë e re, falë avantazheve të ngjashme si plazhet e bukura, hotelet e mira, çmimet e përballueshme dhe fakti që është ende një destinacion i ri për shumë norvegjezë.

Një tjetër shtysë që motivon turistët të zgjedhin vendin tonë është edhe shtimi i fluturimeve direkte me Tiranën.

Vitin e kaluar vendin tonë e vizituan 204 mijë turistë nga Europa Veriore, një rritje me 36% krahasuar me 2016-ën. Nëse rritja do të jetë konstante edhe këtë vit, mund të flasim për rreth 60-70 mijë turistë më shumë nga ky rajon./scan