Shpërthen Mehmetaj: Marrëveshja e errësirës prodhoi hakmarrjen dhe revanshizmin politik ndaj LSI -Albpress Daily News
Published On: Sht, Qer 3rd, 2017

Shpërthen Mehmetaj: Marrëveshja e errësirës prodhoi hakmarrjen dhe revanshizmin politik ndaj LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes nënkryetares Kejdi Mehmetaj, e ka cilësuar si hakmarrje politike dhe shantazh ndaj administratës, largimin e punonjësve nga funskionet dhe detyrat e tyre.
Reagimi i deputetes Mehmetaj vjen në një kohë kur prej disa ditësh, funksionarë të niveleve të ndryshme po largohen nga detyra me motivacionin se kanë shkelur ligjin duke marrë pjesë në fushata apo takime elektorale të forcave politike.
“Zv.Kryeministrja Ledina Mandia, ministrat Milva Ekonomi, Gazmend Bardhi dhe Xhuljeta Kërtusha, kanë nisur një fushatë hakmarrjeve dhe shantazhi ndaj administratës. Në Task Force të ngritur për monitorimin e sjelljes së administratës publike gjatë fushatës nuk është përfshirë asnjë prej ministrave të LSI. Kjo tregon se në vend të standardit të zgjedhjeve, hallin e kanë tek hakmarrja ndaj LSI”, tha Mehmetaj.
Ajo shtoi se në vendet e tyre të punës do të kthehen të gjithë ato që po largohen tani në mënyrë të paligjshme, duke sjellë në vëmendje rikthimin në pozicionet e tyre të punës të të gjithë punonjësve të larguar në 2013, pasi LSI arriti marrëveshjen me PS-në për koalicionin parazgjedhor. “Hakmarrja primitive dhe revanshizmi politik, janë ato çka prodhoi marrëveshja e errësirës. Ata që janë larguar të mos ndjehen të frikësuar, sepse koha e hamarrjes politike ka perënduar me kohë. Përballë të keqes së tyre keni një shans, votoni LSI”, tha Kejdi Mehmetaj