Published On: Enj, Shk 16th, 2017

Shpërthen Ben Blushi: Kreu i KQZ-së, “bibë”. Blendi Klosi, parazit i Dakos

Deputeti Ben Blushi  shpërtheu sot në Kuvend duke akuzuar KQZ se është militante sepse do të miratojë një udhëzim që është gatuar në zyrat e rilindjes me qëllim përjashtimin e LIBRA-s nga zgjedhjet.

“Denar Biba duhet ta kishte emrin Krenar Biba, Krenar që jam bibë. Duan të më heqin tani jo më me statut partie por me Kod Zgjedhor. A mund të ndryshojë Kodi Zgjedhor me një udhëzim të KQZ?! “Këta janë hajdutët e rilindjes” tha Blushi duke iu drejtuar ministrave, ndërsa ministrin Klosi e quajti “parazit të Dakos”, raporton Ora News.

Blushi kërkoi të tërhiqet udhëzimi duke paralajmëruar se “nëse nuk tërhiqet ata 5 mijë veta apo 10 mijë veta që do të firmosin që LIBRA të marrë pjesë në zgjedhje kanë për të ardhur te dera e parlamentit për të nxjerrë parazitët si puna e këtij, edhe Vangjush Dakos, edhe Elvis Roshit”

Pjese nga fjala e deputetit Ben Blushi ne Kuvend  (16 shkurt 2017)

Se si do e zgjedhim presidentin e Republikës, para apo pas zgjedhjeve. Po nwse e zgjedhim pas zgjedhjeve, pas 18 qershorit.

A jemi më deputetë? Sigurisht që jemi. Jemi deputetë në qershor. Jemi deputetë në korrik dhe në gusht.

Jemi deputetë deri në datën 9 shtator. U mbushën 4 vjet që ky parlament konsumohet ligjërisht. KQZ thotë jo, Denar Biba, që në fakt duhet ta kishte emrin Krenar Biba ose Krenar që jam bibë! Sigurisht krenar që jam bibë! Denar Biba thotë jo: mandati i parlamentin duhet të skadojë me datën 28 prill, ditën që dorëzohen listat.

E di si është kjo: Eshtë komplet si historia që më ka ndodhur para një viti, kur isha fatkeqësisht me ju, me Rilindjen edhe ndryshonin cdo natë statutin e partisë socialiste, cdo natë derisa vendosën cuditërisht që kryetari i partisë socialiste nuk është ai që votohet, por ai që zgjedh Ilir Meta si kryeministër.

Ky është statuti, ti kujtojmë njerëzve: Cfarë është statuti kombëtar? Për të më hequr mua si kandidat. Janë zgjedhjet brenda Partisë Socialiste.

Këtë do bëjnë prapë. Duan të më heqin prapë si kandidat në zgjedhje, por këtë rradhë jo me statut partie, me kod zgjedhor. Duke ndryshuar kodin zgjedhor me KQZ, unë kam një pyetje për të gjithë: A mund të ndryshojë kodi zgjedhor me një udhëzim të KQZ? A ka mundësi kodi zgjedhor të ndryshojë më një udhëzim të thjeshtë të KQZ? E pamundur.

A mund të ndryshojë një ligj me vendim qeverie? A mund të ndryshojë një vendim këshilli bashkie me vendim të kryetarit të bashkisë? Këto janë të pamundura. Këto janë ligjësi organike që bota ka 2000 vjet që i zbaton histori në Durrës me 4 milionë euro. Ju pra ju që mendoni se Elvis Roshi është një burrë i ndershëm, edhe ka ministra këtu pa pikë turpi kanë dalë kanë thënë që kryetar bashkie shumë i mirë. Pa folur për këtë këtu. Se s’është këtu. Vartësit e Vangjush Dakos.

Pusho ti parazit (I drejtohet Blendi Klosit)

Vartës i Vangjush Dakos që shkon e paguhesh te bashkia e Vangjush Dakos me 1000 euro në muaj. Ti parazit. Parazit. Pusho ti parazit.

Ti parazit që paguhesh 1000 euro në muaj nga Vangjush Dako s’ke turp. Parazit!

Më leni të mbaroj. Këta janë hajdutët e Rilindjes. Gjysmën e tyre i kam sjellë vetë aty edhe për fat të keq do iu kërkoj ndjesë sot. Si puna e këtij e kam nxjerrë duke punuar për Aleksandër Meksin në 96. I mbante letrat në kosh, ky Aleksandër Meksi.

E mora e ngjita në kat të dytë. Vartësit e Vangjush Dakos. Këta janë njerëzit që bëjnë zgjedhjet në Shqipëri.

Këta janë njerëz që vodhën Shqipërinë për 4 vjet e duan të ndryshojnë kodin zgjedhor për të shmangur kandidatët.

Në fakt s’ia vlen të nxehesh me këtë parazit. Parazit i Dakos. Shko në bashki merr rrogën në fund të muajit. Aty te rrënojat tutje mbase të ka hedh Vangjushi ndonjë kacidhe. Po ju them pra, po ju them pra se kjo gjë është e paparanueshme. Është e paparanueshme.

Tërhiqeni atë udhëzimin se nuk është një udhëzim që ka dalë nga KQZ . është udhëzim i gatuar nga zyrat e Rilindjes dhe ka vetëm një qëllim. Të përjashtojë një parti nga zgjedhjet. Kjo është e papranueshme.

Është e thjeshtë. Marrin 5000 mijë firma për të mbështëtur. 

Do ta bëjmë. 5000 , 10 000, 15 000 për të mbështetur nevojën tonë për të garuar këto zgjedhje. Por nuk mund të përjashtohem me një firmë.

Nuk mund të përjashtohem me një udhëzim të ‘jam krenar bibës’. Jam krenar se jam bibë. Jam krenar se jam bibë thotë ai dhe ky thotë jam krenar se jam parazit. Ky, jam krenar se jam parazit. Parazitët e Buksit. Ju kërkoj pra ta tërhiqni këtë udhëzim. I thoni KQZ, e cila është totalisht militante të ndryshojë udhëzimin. Sot e kanë shtyrë për shkak të presionit. Do ta fusë prapë javën e ardhshme, për cfarë?

Si mund të ndryshojë Kodi Zgjedhor me një udhëzim të vetëm? Kjo nuk mund të ndodhë. Tërhiqni udhëzimin. Tërhiqni udhëzimin, sepse sigurisht ata 5 mijë veta apo 10 mijë veta që do firmosin që LIBRA të marrë pjesë në zgjedhje kanë për të ardhur te dera e parlamentit për të nxjerrë parazitët si puna e këtij, edhe Vangjush Dakos, edhe Elvis Roshit.

 Klosi: Ik ore budalla, debil