Published On: Enj, Jan 4th, 2018

Shpenzimet për kujdesin ndaj shtëpisë, shqiptarët njësoj si BE

Shpërndaj
Tags

Nga shpenzimet e përgjithshme familjet shqiptare harxhojnë për mobilimin dhe mirëmbajtjen e shtëpisë gati njësoj sa mesatarja e BE-së.

Sipas të dhënave të Eurostat, që referojnë strukturën e shpenzimeve të familjeve në vitin 2016, shihet se ato shpenzojnë mesatarisht për mirëmbajtjen e shtëpisë 5.5% të totalit, teksa në të njëjtën periudhë familjet shqiptare shpenzuan për furniturën e shtëpisë 5.0 për qind te të ardhurave të tyre mujore.

Shqipëria madje lë pas 14 vende europiane për shpenzimet që kryen për kujdesin ndaj shtëpisë.

Pesha më e lartë e shpenzimeve për shtëpinë u vu re në Maltë me rreth 7 për qind të shpenzimeve të përgjithshme dhe pesha më e ulët e shpenzimeve ishte në Greqi me 2.8% të totalit të shpenzimeve të familjeve greke.

Pas Maltës shpenzimet më të larta i pati Gjermania me (6,8%), Austria (6,6%) dhe Lituania (6,5%). Këto vende i kushtojnë një pjesë të madhe nga shpenzimet totale për orenditë, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtjen rutinë. Këto u pasuan nga Belgjika dhe Italia (si 6.2%) ashtu edhe Sllovakia (6.0%).

Ndërsa shpenzime më të ulëta përveç Greqisë ishin në Letoni.

Eurostat pohon se në dhjetëvjeçarin e fundit (2006-2016), pjesa e shpenzimeve për kujdesin shtëpiak ka rënë në shumicën dërrmuese të vendeve anëtare. Krahasuar me vetveten edhe Shqipëria ka pësuar rënie. Në vitin 2007, shpenzimet për mirëmbajtjen e shtëpive zinin 5.9 për qind në totalin e shpenzimeve, ndërsa më 2016 ato zinin vetëm 5.%

Në Europë rënia më e madhe gjatë periudhës 10-vjeçare u regjistrua në Greqi (nga 5.3% më 2006 në 2.8 në 2016 dhe Irlanda (nga 6.6% më 2006 në 4.3% më 2016),

Ndërsa shpenzimet për mirëmbajtjen e shtëpive gjatë 10 viteve të fundit u rriten midis viteve 2006 dhe 2016 në Poloni (nga 4.3% në 2006 në 5.3% në 2016, në Lituani, Belgjikë dhe Sllovaki. /Monitor/.