Shoferi i ministrit të Brendshëm, vrasje apo vetëvrasje/ Vijon misteri… -Albpress Daily News
Published On: Sht, Qer 30th, 2018

Shoferi i ministrit të Brendshëm, vrasje apo vetëvrasje/ Vijon misteri…

Shkëlzen Qordja, 31 vjeç, shoferi i ministrit të Brendshëm dhe pjesë e Gardës së Republikës, u gjet sot pajetë në automjetin e tij.

Nga ky moment lindi dyshimi nëse ngjarja e rëndë ishte vrasje apo vetëvrasje? Fillimisht u tha se viktima kishte një plumb në kokë, ndërsa më pas përmes një deklarate zyrtare, Prokuroria bëri të ditur se ishin 3 plumba, që ishin qitur nga një armë automatike, ndërsa në deklaratë thuhej se Qordja ishte vetëvrarë.

“Nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë.

Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri””, thuhet në njoftimin zyrtar.

Por opozita e kryesuar nga PD i qëndron pistës se shoferi i ministrit të Brendshëm është ekzekutuar. Madje PD e ka cilësuar përmes një deklarate zyrtare një vrasje të tipit mafioz. PD kërkoi largimin e ministrit Xhafaj, duke e akuzuar sepo ushtronte presion.

Ndërkohë ish-Kryeministri Sali Berisha ka postuar një seri denoncimesh, duke iu referuar atyre që i quan qytetari dixhital, apo gardisti dixhital, në rastin konkret. Së fundmi Berisha, duke iu referuar denoncuesit,  ka postuar se Qordja është ekzekutuar nga dy vrasës me pagesë.

“Dy killer ekzekutuan shoferin e familjes mafioze Xhafa! Tre plumba e kanë marrë në trup dhe katër të tjera janë gjetur në makinë.  Provohet se është vrasje dhe jo vetëvrasje”, shkruan Berisha.

Ministri i Brendshëm nga ana e tij përmes një deklarate u shpreh “nuk është dita sot për mua që të bëj politikë dhe as e ndaloj dot që politika të vazhdojë të merret me mua sot.

Kam humbur krejt papritur një njeri të afërt, i cili si dhe gjithë familja e tij, ishte bërë si pjesë e familjes sime.

Nuk kam asnjë koment për rrethanat e ndarjes së tij nga jeta, sepse prokurorët dhe ekspertët përkatës po punojnë ndërkohë për sqarimin e tyre.

Nëse nuk kam se si u kërkoj hienave politike të mos sulen mbi të vdekurin, u lutem mediave që kanë sadopak ndjenjë njerëzore të respektojnë dhimbjen e prindërve, vëllezërve, të afërmve e miqve të tij”.

Misteri për ngjarjen do të vazhdojë sikundër dhe pyetjet e pikëpyetjet.

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of