SHBA zhvendos ambasadën në Jeruzalem -Albpress Daily News
Published On: Hën, Maj 14th, 2018

SHBA zhvendos ambasadën në Jeruzalem

Ambasada amerikane zhvendoset të hënën (14 Maj) nga Tel Avivi në Jeruzalem. Një kthesë në politikën amerikane dhe një hap mjaft delikat, pikërisht në kohët e rritjes së tensioneve rajonale në Lindjen e Afërt.

Arnona është një zonë e qetë idilike, në jug të Jeruzalemit. Por këtë të hënë, më 14 Maj ajo është në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Flamuj amerikanë dhe izraelitë valëviten ndërkohë në rrugën që të çon drejt konsullatës amerikane. E njëjta ndërtesë do të kthehet në selinë e re të ambasadës amerikane që zhvendoset në Jeruzalem. Tabelat në gjuhën hebraike, arabisht dhe anglisht janë vendosur. Në ceremoninë e inagurimit priten 1000 vetë, edhe një delegacion amerikan nën ministrin e Financave, Steven Mnuchin.

Në dhjetor presidenti Trump e bëri të ditur vendimin për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem për të përmbushur një premtim elektoral. Vendimi që shënon edhe një kthesë në politikën amerikane është kritikuar në të gjithë botën. Konsensusi ndërkombëtar qëndron pikërisht në atë që statusi i Jeruzalemit të zgjidhet në negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve.

Një izraelit në Jeruzalem i pyetur në rrugë të thotë se “është në rregull që SHBA e zhvendos ambasadën këtu, sepse në fund të fundit ky është kryeqyteti. Pyesni edhe një fëmijë, kush është kryeqyteti ynë, do të thotë Jeruzalemi”, thotë Uriel Berenstein. “Nëse një ditë do të ketë një shtet palestinez, e nëse ata duan një pjesë të Jeruzalemit, do ta gjejnë një zgjidhje. Për momentin Jeruzalemi është kryeqyteti izraelit.”

Një shpërngulje me pasoja politike potencialisht të rrezikshme

Fillimisht në Jeruzalem do të qëndrojë ambasadori amerikan David Friedmann dhe disa punonjës. Shpërngulja e plotë do të zgjasë disa vite, thotë një nëpunës. Ambasada do të zgjerohet hap pas hapi në territorin e konsullatës. Vendi ku ndodhet ambasada është pranë vijës së gjelbër, të quajtur linja e demarkacionit, që pas luftës së vitit 1948 ndau territorin izraelit e jordan e që shënon për pam metra një tokë të askujt. “Në mënyrë paradokse shpërngulja e ambasadës nuk ka asnjë ndikim në qytet, por në anën tjetër ka pasoja të mëdha”, thotë Daniel Seidemann, një avokat izraelit me rrënjë amerikane dhe themelues i organizatës joqeveritare, “Terrestrial Jeruzalem”. Sot qyteti “është më i ndarë se kurrë, më pak i qëndrueshëm dhe më i kërkuar se kurrë”.  Sipas Seidemann ky hap “shënon edhe fundin e rolit ndërmjetësues amerikan në lidhje me proceset politike dhe marrëdhëniet mes Izraelit dhe Palestinës.”

Statusi i Izraelit është një nga pikat më të kontestuara mes Izraelit dhe palestinezëve. Mendohet se qeveria e Trumpit po punon për një plan të ri për paqen, por sinjalet janë të ndryshme. Në udhëtimin e tij të parë në prill si sekretar i ri i Departamentit të Shtetit, Michael Pompeo është shprehur se “kufijtë e sovranitetit izraelit në Jeruzalem edhe më tej mbeten objekt negociimi mes palëve.” Ndërsa në janar presidenti Trump u shpreh se “e kemi hequr si problem Jeruzalemin. Të mos flasim më për këtë.”

Palestinezët humbasin shpresën

Një aktivist palestinez, Jauad Siyam thotë se vendimi i Trumpit “tregon se amerikanët janë plotësisht në anën e Izraelit. Të drejtat e palestinezëve nuk u interesojnë atyre. Në thelb ata u thonë palestinezëve, ne jemi kundër ëndrrave tuaja, të keni një shtet. Ne nuk kemi asgjë.”

Palestinezët duan të ngrenë shtetin e tyre duke pasur si kryeqytet Jeruzalemin lindor, të cilin Izraeli e pushtoi në kuadër të luftës gjashtëditore në vitin 1967. Në vitin 1980 Izraeli e pushtoi edhe efektivisht Jeruzalemin lindor dhe e deklaroi të gjithë qytetin si kryeqytet të vetin. Një hap që nuk u njoh nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare. Deri më sot.

Hapja e ambasadës amerikane në Jeruzalem më 14 Maj kryhet  në kohë të turbullta në rajon. Tensionet mes Iranit dhe Izraelit kërcënojnë të shkallëzohen. Në të njëjtën ditë me hapjen e ambasadës që përkon me 70-vjetorin e themelimit të Izraelit, do të arrijnë pikën kulmore edhe protestat disa javore në Rripin e Gazës. Nga fundi i Marsit çdo të premte organizohet i ashtuquajturi “Marshi i Kthimit”. Dita e themelimit të Izraelit shihet nga palestinezët si “Al-Nakba”- Dita e Katastrofës, një ditë kur kujtohet dëbimi dhe largimi  nga vendlindja. Gjatë këtyre javëve të protestës kanë humbur jetën gati 50 palestinezë.

Në një kohë që për palestinezët ëndrra për një shtet po zbehet gjithnjë e më shumë, Izraeli shpreson që shembullin e Shteteve të Bashkuara me zhvendosjen e ambasadës ta ndjekin edhe vende të tjera. DW