Published On: Enj, Qer 21st, 2018

Sezoni turistik/ Tatimet: Ja subjektet që do të kontrollohen, kujdes…

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar sërish sot se objekt i kontrollit për subjektet që operojnë në turizëm do të jenë bizneset që kanë rezultuar me risk të lartë nga vjet dhe që përmirësojnë vetëdeklarimin e tyre në lidhje me xhiron, pagesat e TVSH dhe numrin e të punësuarve.

Sipas njoftimit të Tatimeve janë rreth 1,200 tatimpagues që kanë reaguar pozitivisht ndaj ftesës së Administratës Tatimore për të përmirësuar deklaratën e TVSH-së, duke filluar nga periudha maj 2018. Kjo në kuadër të planit të masave që po zbaton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për sezonin turistik.

Këta tatimpagues, të cilët duhet ta reflektojnë këtë sjellje edhe duke realizuar pagesat për të gjithë muajt e sezonit turistik, nuk do të bëhen objekt i verifikimeve nga strukturat e zbatimit, i vizitave fiskale, i monitorimit të xhiros së realizuar apo i kontrolleve nga zyra.

Objekt i kontrolleve të plota do të jenë vetëm tatimpaguesit, të cilët nga analiza kanë rezultuar me risk të lartë për sezonin e kaluar turistik dhe nuk përmirësojnë në nivele të pranueshme vetëdeklarimin e tyre lidhur me xhiron pagesat e TVSH-së, numrin e të punësuarve për të gjithë muajt e sezonit turistik.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, inkurajon tatimpaguesit që të përmbushin në kohë dhe me korrektësi detyrimet e tyre.