Published On: Enj, Kor 27th, 2017

Rritet çmimi i ujit, sa do paguajmë me tarifën e re nga janari

Nga janari i 2018-s, të gjithë banorët e Tiranës do të tariforen 65 lekë për çdo m³ ujë që vjen në çezmat e tyre.
Vendimi për të rritur çmimin me mbi 40% bashkë me dyfishimin e tarifës fikse mujore, u mor dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. E vetmja që nuk pëson ndryshime është tarifa për ujërat e ndotura.

Përveç familjarëve, preken ndjeshëm edhe bizneset, të cilat nga 135 lekë/m³, do të duhet të paguajnë 190 lekë, me përjashtim të furrave të bukës, të cilat do të tariforen 130 lekë/m³ nga 95 lekë/m³ që ishin më parë. Për kryebashkiakun Erion Veliaj, ky vendim i hap rrugë projektit më të madh strategjik për kryeqytetin, që është furnizimi i pandërprerë me ujë brenda pesë viteve.

“Ky është një vendim i guximshëm, do pak kurajë për të ngritur dorën dhe për të thënë po, do bëjmë histori në këtë qytet. E morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë dhe e kemi sot me 13 orë”. Rritja e fundit e çmimit të ujit është bërë pesë vite më parë. Tashmë, vendimi i plotë bashkë me propozimet e forcave politike, do t’i dërgohet Entit Rregullator të Ujit për të miratuar ose jo rritjen e tarifës.

KUSH S’PREKET NGA RRITJA

Projektvendimi i bashkisë për rritjen e çmimit të ujit nuk do të prekë disa kategori individësh. Me propozimin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet është vendosur që njerëzit në nevojë të rimbursohen për masën e ujit të shpenzuar, duke paguar të njëjtën tarifë si më parë, pra 45 lekë.

“Jemi pro rritjes së çmimit të ujit të pijshëm, por ne propozojmë njëkohësisht që të bëhen disa përjashtime për disa kategori të familjeve që ndodhen në Tiranë”, deklaroi Vjollca Braho. Të parët në listë që përjashtohen nga tarifa e re janë kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie dhe që kanë anëtarë të papunë në familjen e tyre.

Së dyti, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe ato që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuara. Pjesë e kategorive që nuk preken nga rritja janë kryefamiljarë që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar apo vetëpunësuar.

Një tjetër kategori e shtuar në listë janë familjet e punonjësve buxhetorë me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar tjetër të punësuar apo vetëpunësuar.

Pjesë e listës që do të vijojnë ta paguajnë ujin me çmimin aktual, pra 45 lekë/ m³ janë të verbrit, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, gratë kryefamiljare dhe familjet me të ardhura nga pensionet familjare.

Ky propozim i ardhur nga PDIU është njëri prej kushteve që Lëvizja Socialiste për Integrim i vendosi dy ditë më parë Bashkisë që të kalojë vendimin për rritjen e çmimit të ujit./panorama