Raportet mbi kriminalitetin te Ligjet, opozita kërkon shtyrjen/ Ja shkeljet që zbulohen dhe letra për Ruçin… -Albpress Daily News
Published On: Mër, Kor 11th, 2018

Raportet mbi kriminalitetin te Ligjet, opozita kërkon shtyrjen/ Ja shkeljet që zbulohen dhe letra për Ruçin…

Në Komisionin e Ligjeve është parashikuar që në orën 11.00 të nisë shqyrtimi i dy raporteve mbi gjendjen e kriminalitetit në vend. Raportet i përkasin Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Por opozita ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e mbledhjes.

Nëpërmjet një letre drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryetarët e grupeve të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili shprehin kundërshtimin e opozitës për zhvillimin e mbledhjes në shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit.

Spaho dhe Vasili argumentojnë se, ndryshe nga sa parashikon neni 29, raportimi është futur në rend dite pa qenë më parë në kalendarin e punimeve të Kuvendit, i miratuar deri në fund te sesionit.

Sipas opozitës, shkelja tjetër flagrante e Rregullores është caktimi i programit dhe kalendarit të Komisionit nga kryetari Ulsi Manja pa u këshilluar më parë me nënkryetarin Alibeaj, siç e detyron neni 33 i Rregullores së Kuvendit.

Në kërkesën drejtuar Ruçit, kryetarët e grupeve të opozitës theksojnë se dy raportet janë voluminoze dhe duan një kohë të mjaftueshme për shqyrtim serioz. Për më tepër, ata vënë në dukje se dy anëtarë të opozitës, përfshirë nënkryetarin janë me detyrë nga Kuvendi jashtë vendit.

Duke cituar kompetencat e Kryetarit, Spaho dhe Vasili i kërkojnë kryeparlamentarit Ruçi të anulojë mbledhjen e orës 11.00, që zhvillohet në shkelje të 4 neneve të Rregullores.

Duke e konsideruar Rregulloren e Kuvendit si garantuesen e vetme të bashkëjetesës politike në Kuvend, kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës theksojnë se shkeljet e vazhdueshme të opozitës po e minojnë këtë bashkëjetesë.

“Nëse veprimet arbitrare të përfaqësuesve të maxhorancës, në shkelje të Rregullores, mbështeten nga ana juaj, atëherë jeni duke vënë seriozisht në rrezik bashkëjetesën demokratike midis pozitës dhe opozitës në Kuvend”, thuhet në kërkesën e kryetarëve të opozitës, të cilët akoma nuk kanë marrë një përgjigje nga Kryetari i Kuvendit.

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of