Published On: Mër, Qer 7th, 2017

Rama shpjegon pse ngre dy gishtat në fushatë/Ja kush e ka meritën për arritjen e marrëveshjes

Kryeministri Edi Rama e konsideroi si normale fushatën për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, krahasuar kjo me fushatat e mëparshme. Kreu i Qeverisë tha se deri më tani opozitat ose kanë qenën nën efektin e presionit të administratës, ose nën presionin se ata që ishin në pushtet do i bënin një hile të madhe.

“Për 25 Qershorin, opozita i ka sytë dhe veshët brenda Qeverisë dhe marrëveshja e bërë me këto komponentë ka bërë që të kemi një fushatë normale”, tha Rama. Sipas tij, marrëveshja e 17 Majit i intereson shqiptarëve dhe Shqipërisë. “Kërkesa ime për të marrë një mandat të plotë për Partinë Socialiste, nuk është një kërkesë për të marrë më shumë pushtet për vete, pasi këtë mund ta bënim duke i qëndruar 18 Qershorit, ndërsa Luli do të priste natën për t’u freskuar pak”, tha Rama.

Kryeministri tha se marrëveshja e 17 Majit ështe meritë e Partisë Socialiste. “Sali Berisha nuk do të kishte bërë kurrë përpjekjet që unë bëra, dhe nuk do të lejonte kurrë atë që unë bëra, duke lejuar përfaqësuesit e opozitës në qeveri. Kisha qëllimin për ta bërë këtë marrëveshje dhe e bëra. Sigurisht e bëra në momentin e duhur dhe prita rastin e duhur, megjithëse mbledhja e organizuar ishte si një kurth për PS”, tha Rama.

Në vijim, Kryeministri ka sqaruar se ngritjen e dy gishtave gjatë fushatës së PS-së, duke u shprehur se ky symbol na erdhi nga fati, pasi ne kemi nr 2 në fletën e votimit. “Nëse do na binte një numër tjetër do të gjenim një simbol tjetër. Dy gishtat ne i ngremë edhe si një mesazh për të treguar se pavarësisht se kemi kundërshtarë politikë, ne do të çojmë flamurin kuq e zi në oborrin e Bashkimit Europian”, tha Rama. “Zgjedhjet e 25 Qershorit do të jenë të parat zgjedhje që opozita nuk ndjehet nën presion dhe do të jenë të parat zgjedhje që humbësi do të pranojë humbjen dhe do të urojë fituesin. Për mua e rëndësishme është që opozita është në garë, dhe të presim vendimin e sovranit. Më tej do të presim bashkarisht dhe do të çojmë vendin përpara drejt BE”, tha Rama