Published On: Mër, Gus 30th, 2017

Rama jep udhëzime të prera për SHISH e Tatimet: skanoni bizneset, sekuestroni asetet e krimit

SHISH, Tatimet, Doganat dhe çdo institucion tjetër ligjzbatues në vend duhet të intensifikojnë informacionet, të hetojnë dhe kontrollojnë çdo biznes për të parë mënyrën se si është ndërtuar dhe nëse zbulohet se të ardhurat janë siguruar nga veprimtari të paligjshme, asetet të sekuestrohen.

Ishte kjo porosia që kryeministri Edi Rama ka dhënë në mbledhjen e Task Force kundër drogës, ku ka dhënë porosi të qarta për të skanuar çdo veprimtari në fushën e sipermarrjeve.

“Çdo biznes i dyshimtë, llogari bankare, makina dhe pasuri e paluajtshme duhet të kalojë në skaner. Kushdo që zotëron asete të tilla duhet të provojë vendosjen ose do të konfiskohen dhe zotëruesit të përgjigjen para ligjit.

Nuk do i kursejmë të fortët, ata mund ta tregojnë forcën në komisariat. Aty fillon lufta ndaj tyre. Dihet kush janë dhe dihet ku janë ata me automjete luksoze”, u shpreh Rama.

Sipas tij, pas përfundimit me sukses të operacionit për zhdukjen e kultivimit të kanabisit, tashmë objektivi i radhës do të jetë lufta ndaj pasurive kriminale të vendosura nga grupet.

“Për realizimin me sukses të këtij objektivi duhet që policia, SHISH, prokuroria, DPPP, Tatimet, Doganat dhe të gjitha strukturat të intensifikojnë vëllimin e informacionit për të analizuar të gjithë këtë hetime të përbashkëta si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe me partnerët për të projektuar dhe realizuar goditjen e këtyre rrjeteve”, tha Rama.

Referuar shifrave, kryeministri u shpreh se këtë vit në Shqipëri është kultivuar sasia më e vogël e narkotikëve që nga viti 1991.

“Ky rezultat ka nxitur përfshirjen e BE-së në këtë proçes me një fond për zgjatjen me një muaj të fluturimeve monitoruese. Ky është një sukses i rëndësishëm dhe një shembull kuptimplotë se sa shumë mund të bëjë Policia e Shtetit përmes bashkëpunimit me të gjitha strukturat ligjzbatuese.

Fakti që policët nuk merren më me prerje bimësh, por me imponimim me profesionalizëm të ligjit në të gjithë territorin është arritje domethënëse. Kjo duhet parë si një hap dhe jo si e gjithë rruga e plotë e realizimit të objektivit për të hequr Shqipërinë nga harta e vendeve të origjinës të kanabisit, por një hap për të kuptuar se sa shumë mund të bëhet në këtë drejtim, për ta shtrirë luftën kundër kanabisit drejt elementëve kriminalë”, u shpreh Rama.