Published On: Pre, Qer 29th, 2018

Qeveria jep tjetër “koncesion të pakërkuar” për një firmë të vogël shqiptare

Kompania A. N. K Sh.p.k me pronar Agim Kola dhe me kapital aksioner prej vetëm 247 milionë lekësh, ka fituar bonus nga qeveria për ndërtimin me koncesion të segmentit rrugor Milot-Balldren, me kosto të panjohur.

Qeveria firmosi një vendim të mërkurën për t’i dhënë bonus në masën 8.5% një kompanie të quajtur A.N.K me pronar të vetëm Agim Kola për një kontratë koncesionare për ndërtimin e një segmenti rrugor nga Miloti për në Balldren, rreth 25 kilometra më në veri. Sipas qeverisë, kompania në fjalë ka hedhur “propozimin e pakërkuar” për kontratë koncesionare.

Ligji i Partneritetit Publik Privat njeh dy mënyra për dhënien e një kontrate koncesionare: mënyra e parë është kur një institucion publik dëshiron të vë në shfrytëzim që aset dhe nuk i ka paratë, por fron kompanitë private të bëjnë një ofertë. Në këtë rast bëhet një tender. Në rastin e dytë, një kompanie private i lind ideja e zgjidhjes së një problemi publik dhe bën një “kërkesë të pakërkuar”. Në këtë rast, qeveria detyrohet gjithashtu të hapë garë për propozimin dhe të ftojë kompani të tjera, por për të shpërblyer gjenialitetin e idesë, i jep një avantazh kompanisë propozuese në tender të njohur si bonus.

Që kur skema e “kërkesave të pakërkuara” u zbulua në ligjin e dytë të koncesioneve në vitin 2006, bonusi i dhënë nga qeveria ka shërbyer në shumicën dërrmuese të rasteve për të paracaktuar fituesin më shumë se sa për të shpërblyer gjenialitetin e idesë. Qeveria aktuale është e njohur për dhënien e bonuseve për shumë ide të tilla, përfshirë Hidrocentralin e Poçemit, Hidrocentralin e Skavicës, rrugën Kashar-Thumanë apo Rruga e Arbrit. Në të gjitha rastet, në tenderin që pasoi propozimin fitoi gjithmonë propozuesi ndërsa në rastin e Hidrocentralit të Poçemit, nuk pati asnjë pjesëmarrës tjetër në tender përveç propozuesit. Në rastin e Hidrocentralit të Skavicës, bonusi i qeverisë dështoi sepse në tender nuk u paraqit as vetë propozuesi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar vazhdimisht këtë praktikë duke kërkuar ndaljen e saj për shkak të kostove të mëdha për buxhetin e shtetit dhe përfitimeve të dyshimta publike.

Por kontratat koncesionare për ndërtim rrugësh janë një praktikë e vetëm qeverisë aktuale dhe përveç faktit që paracaktojnë fituesin e koncesionit, shmangin edhe procedura normale prokurimi për ndërtimin e rrugës. Sipas formulave të qeverisë, koncesionari teorikisht merr përsipër ndërtimin e rrugës me fondet e veta brenda tre apo katër vitesh ndërsa merr pagesën nga qeveria me këste përgjatë dhjetë apo 13 viteve.

Fondi Monetar Ndërkombëtar argumenton se një kontratë e tillë koncesionare përbën në të gjitha kuptimet borxh publik, të cilin qeveria aktuale po ia ngarkon një gjenerate të tërë shqiptarësh. Qeveria “Rama” ka dhënë deri tani rreth 700 milionë euro koncesione të tilla dhe ka në plan të japë edhe 1 miliardë euro të tjera. /BIRN/

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of