Pse pati luhatje të Euro-s gjatë fushatës zgjedhore?! Ministrat teknikë kërkojnë shkaqet -Albpress Daily News
Published On: Pre, Gus 18th, 2017

Pse pati luhatje të Euro-s gjatë fushatës zgjedhore?! Ministrat teknikë kërkojnë shkaqet

Ministrat teknikë tashmë të larguar nga postet e tyre pas dorëheqjes së bërë zyrtare më 17 gusht , në raportin e hartuar për ecurinë e zgjedhjeve janë ndalur edhe në përdorimin e burimeve financiare.

Sipas raportit Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk ka njoftuar raste konkrete të përdorimit të burimeve financiare nga veprimtaria e paligjshme në mbështetje të subjekteve elektorale.

Ndërkohë që MB ka raportuar ekzistencën e një fenomeni të tillë gjatë fushatës elektorale.

Konkretisht, sipas Ministrisë së Brendshme, në zgjedhje janë angazhuar në mënyrë masive burime të dyshimta financiare në shit-blerjen e votës nga subjekte politike në qeverisje ose persona të lidhur me këto subjekte, bën me dije “scan”.

Hartuesit e raportit sjellin në vëmendje faktin se pas marrëveshjes politike, kursi i këmbimit të euros ka rënë deri më 27 qershor , duke arritur kështu nivelin më të ulët prej shumë vitesh, për të rifilluar përsëri rivlerësimin.

Në raportin e hartuar nga ministrat teknikë rekomandohet që fenomeni i zhvlerësimit domethënës të monedhës Euro mes datave 19.05.2017 deri në 27.06.2017 të analizohet në mënyrë të thelluar dhe të koordinuar nga institucione kompetente për të analizuar shkaqet dhe për vlerësuar nëse kjo rënie e monedhës Euro është e lidhur me përdorimin e saj në mënyrë informale për shitblerjen e votave apo vepra të tjera penale në fushën e zgjedhjeve.

Raporti i ministrave teknikë është cilësuar nga maxhoranca proceduralisht jo korrekt pasi ky raport nuk është diskutuar dhe miratuar në mbledhjen e Task-Forcës.

Në një reagim zyrtar kryeministri i ka falenderuar ministrat teknikë të Partisë Demokratike për kontributin e dhënë dhe shpreh keqardhjen për përmbylljen e kësaj eksperience pozitive me të ashtuquajturin Material përmbledhës për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike te administratës shtetërore, gjate procesit zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2017.