PS, më 1991 përfaqësonte Byronë e Bllokut, sot oligarkët… -Albpress Daily News
Published On: Mër, Qer 13th, 2018

PS, më 1991 përfaqësonte Byronë e Bllokut, sot oligarkët…

Analisti dhe politologu Afrim Krasniqi përmes një komenti në rrjetet sociale ndalet në shndërrimin e ish-PPSH në Parti Socialiste, e cila një ditë më parë festoi 27 vjetorin e themelimit të saj.

Krasniqi shkruan se “pas 27 vitesh shumë gjera kanë ndryshuar. Vetë Rama është kryetar i PS dhe ndjehet mirë me gjithcka ndjehej keq dikur. Shumë komunistë shkuan në PS, por të tjerë komunistë shkuan në PD dhe në partitë e tjera. Më shumë se pluralizëm u krijua një rivalitet komunistësh në secilën parti politike”.

Postimi i Afrim Krasniqit

Më 13 qershor 1991 u zhvillua seanca e fundit e Kongresit të X të PPSH dhe mbledhja e parë e PS. Nuk pati vendim për dhënien fund të PPSH, shpërndarjes apo shkrirjes së saj, por pati vendim të ndryshimit të emrit.

Bashkë me emrin u ndryshuan edhe statuti, dokumentet dhe shumica e parimeve politike. 24 orë më parë në seancë ishte Ramiz Alia dhe gjithë Byroja Politike. U fol për skandale, llogaridhënie dhe përjashtime. Dritero Agolli lëshoi kritika ndaj Enver Hoxhës dhe salla u ngrit në këmbë kundër tij.

24 orë më pas e njëjta sallë dhe të njëjtit delegatë thanë se janë reformuar dhe shpallën emrin e ri të partisë.

Shikoni fillimin e programit të saj, – “e quajnë të kryer rolin dhe veprimtarinë historike të Partisë së Punës, e cila udhëhoqi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, siguroi çlirimin kombëtar dhe e futi vendin në rrugën e transformimeve të gjithanshme”!

Ia njohin PPSH të gjitha meritat, luftën dhe clirimin, dhe e konsiderojnë periudhën komuniste, “rrugë e transformimeve të gjithëanshme”. Nuk ka distancim dhe as kritika, por thjesht ndarje formale me të kaluarën. Më pas vijojnë parimet…dhe aty përsëri zgjidhja janë idetë e Marksit. Kaq patetike dhe absurde u duk ndarja sa njerëz me ndikim publik, përfshirë pedagogu i ILA Edi Rama, bënë thirrje për nxjerrjen e PPSH jashtë ligji dhe shkrirjen e pasueses së saj!

Pas 27 vitesh shumë gjera kanë ndryshuar. Vetë Rama është kryetar i PS dhe ndjehet mirë me gjithcka ndjehej keq dikur. Shumë komunistë shkuan në PS, por të tjerë komunistë shkuan në PD dhe në partitë e tjera. Më shumë se pluralizëm u krijua një rivalitet komunistësh në secilën parti politike.

Ndaj sot ende nuk kemi një disident politik apo figurë reale antikomunistë në politikë dhe për më tepër, në pozita drejtuese në parti apo në shtet. Vetë PS ka ndryshuar shumë. Ajo pati meritën se atë ditë, më 13 qershor 1991 krijoi një ekip të ri politik të dominuar nga 30-45 vjecarë, shumë prej të cilëve kanë dominuar jetën politike e publike të tranzicionit.

Sot shumica e tyre është jashtë politikës, “njeriu i ri” biznesmen dhe mik me shefin, është modeli i sotëm dominues politik. Në PS dhe në secilën parti tjetër në krah e përballë saj. Sot nga kryesia e parë themeluese ka mbetur vetëm një themelues, një fenomen përjashtimesh që ka ndodhur edhe në PD, edhe në partitë e tjera.

PS erdhi si komuniste, premtoi të ishte socialiste, promovoi parime socialdemokrate dhe prej vitesh qeveris si e djathtë, – një kurbë që tregon shumë, për politikën, parimet, moralin, interesat dhe bilancin e pluralizmit në një vend që 28 vjet pluralizëm i ka të lidhura me 3 liderë politikë.

Ky është një detaj tjetër me rëndësi për të kuptuar se historia jonë, ndryshe nga historitë e vendeve të civilizuara dhe qytetare, është më shumë histori personash, histori personale, histori miqsh, histori shokësh e lagjeje sesa histori e bazuar në vizione, parime, strategji, projekte, bilance, integritet apo sens përgjegjësie.

Kaq për PS, partinë që qëndroi në pushtet e vetme me 1990-1991 e rri në pushtet e vetme edhe sot, e lindur të perfaqesojë të varfërit, por që deri më 1991 përfaqësoi Byrone e Bllokun e që sot përfaqeson pjesën më të madhe të oligarkisë!!