Published On: Sht, Kor 29th, 2017

Protesta para kryeministrisë në Tiranë, kërkohet lirimi i Ballistit

Grupi i tifozëve kuqezi protestuan pasditen e sotme para kryeministrisë kundër ekstradimit në Serbi të Ismail Morinës, i njohur si Ballisti.

“Liri Ballistit” ishte thirrja që dominoi protestën ndërsa nuk munguan dhe këngë e thirrje kombëtare.

Pas Kryeministrisë së Shqipërisë, grupi i tifozëve u zhvendos para Ambasadës kroate në Shqipëri.

Në Tiranë autoritetet janë vënë në lëvizje për të shmangur ekstradimin drejt Serbisë të Ismail Morinës, tifozit shqiptar që ngriti dronin me simbolet kombëtare në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes së futbollit mes kombëtares serbe dhe asaj të Shqipërisë në vitin 2014.

Morina, u ndalua disa javë më parë në Kroaci, nga autoritetet e këtij vendi, pasi u gjet pa dokumente identifikimi.

Një gjykatë kroate e Shkallës së Parë, ka vendosur tanimë në favor të ekstradimit në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar lëshuar nga autoritetet serbe, pikërisht për ngjarjen e 2014, ku ndaj lojtarëve shqiptarë më pas u ushtrua edhe dhunë nga tifozët e ekipit të Serbisë.