Policia në aksion kundër kambistëve, bllokohen bono dhe euro -Albpress Daily News
Published On: Sht, Qer 30th, 2018

Policia në aksion kundër kambistëve, bllokohen bono dhe euro

Seksioni për Pastrimin e Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Tiranë, bën të ditur se dje, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë, për B. C., 60 vjeç, banues në Tiranë, për D. K., 51 vjeç, banues në Tiranë dhe për H. A., 66 vjeç, banues në Tiranë. Procedimi i tyre u bë pasi rreth orës 13:30, te “Dollari”, iu bllokuan me cilësinë e provës materiale, një sasi bono privatizimi dhe eurosh. Neni 170/ç i Kodit Penal.

Po kështu edhe Seksioni Kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë, Durrës, bën të ditur se u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Durrës, për M. B., 66 vjeç, banues në Durrës, pasi në orën 08:40, në lagjen nr. 11, u kap duke ushtruar këmbimin valutor pa licencë. Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi në lekë dhe euro. Nenet 170/ç, 180 dhe 181 të Kodit Penal.

Kodi Penal

Neni 170/ç

Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012)

Ushtrimi i një ose disa veprimtarive financiare të ndryshme nga veprimtaria bankare, nga persona që nuk janë të licencuar për këtë qëllim, sipas legjislacionit bankar dhe/ose financiar në fuqi, dënohet me gjobë ose burgim gjer në tre vjet.

Po kjo vepër, kur i ka shkaktuar pasoja të rënda interesave shtetërorë ose atyre të shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 180

Fshehja e të ardhurave

(Ndryshuar me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013; shfuqizuar fjalë në paragrafin e parë me ligjin nr. 135/2015, datë 5.12.2015)

Fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara, apo deklaratave ose informacioneve të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se pesë milionë lekë, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se tetë milionë lekë, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.

Neni 181

Mospagimi i taksave dhe tatimeve

Mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit të caktuar, me gjithë mundësinë e pagimit të tyre, nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of