Published On: Sht, Mar 3rd, 2018

Plani i shkrirjes se Albpetrol

Share This
Tags

Pas falimentit praktik të ARMO-s, qeveria shqiptare ka nisur zbatimin e një plani që synon mbylljen e Albpetrol nëpërmjet një skeme ristrukturimi, ku shteti do të menaxhojë vetëm marrëveshjet hidrokarbure.

Ja variantet që po shqyrtohen. Ekspertët janë kundër këtij plani. Ata rekomandojnë rishtetëzimin e ARMO-s dhe rikthimin e ciklit të mbyllur në industrinë e naftës, çka do të shmangte papunësinë për 3700 punonjës.

Borxhet e Albpetrol i kalojnë të 100 milionë eurot, teksa asetet e kompanisë, sipas vlerës kontabël të vitit 2016, janë 347 milionë euro

Nga Blerina Hoxha

Në vitin 2012, kur qeveria shqiptare nxori në shitje kompaninë e prodhimit të naftës Albpetrol, kompania amerikane konsulente për privatizimin, Patton Bogs, e çmoi me një vlerë rreth 420 milionë dollarë. Por tani, 5 vite më pas, përfitimet në rast shitjeje do të ishin vetëm pak miliona euro. Me rreth 13 miliardë lekë borxhe të akumuluara në bilance, teksa ka humbur të drejtat ekskluzive mbi blloqet e kërkimit dhe puset janë transferuar tek koncesionarët privatë, gjigantit shqiptar të naftës i ka ardhur fundi.

Qeveria shqiptare, sipas burimeve të brendshme në kompani, ka në plan të përmbushë një proces të thellë ristrukturimi që me gjasë do të çojë në shkrirjen e kompanisë, duke lënë të papunë rreth 2500 punonjës të saj. Fikja e Albpetrol është fundi i një sage të gjatë dështimesh në administrimin e pronës publike në sektorin e industrisë së rëndë. Kriza e ARMO-s dhe falimenti praktik bashkë me shkrirjen e Albpetrol, thyen përfundimisht shpresën për jetësimin e ciklit të mbyllur të prodhimit dhe përpunimit në vend.

Javën që shkoi një grup pune ndërministror është krijuar për të mbikëqyrur shkrirjen e kompanisë dhe ristrukturimin e saj. Burimet brenda grupit pohojnë se po shqyrtohen disa variante, por të gjitha synojnë një drejtim, mbylljen e Albpetrol me qëllim parandalimin e një katastrofe borxhesh që kanë përfshirë kompaninë së fundmi.

Varianti i parë merr në konsideratë mbylljen e kompanisë. Pas largimit nga puna, të 2500 punonjësit do të trajtohen vitin e parë me pagë të plotë dhe vitin e dytë pas largimit, me 70% të pagës mujore. Me këtë trajtim financiar, qeveria synon të parandalojë protestat dhe të zbusë disi pasojat sociale që krijon shkrirja.

Shteti, me anë të një stafi të ngushtë teknik që mund të integrohet në Institutin e Naftës dhe të Gazit, do të menaxhojë të drejtat që lindin nga marrëveshjet hidrokarbure dhe gjithashtu do të monitorojë fushat pas largimit të mundshëm të koncesionarëve.

Varianti i dytë parashikon ristrukturimin e kompanisë. Edhe në këtë variant, shteti mban të drejtat e menaxhimit të marrëveshjeve, por disa sektorë si uzina mekanike dhe njësia e remontit mund të ristrukturohen dhe të nxirren në shitje.

Një tjetër variant, që ka më pak gjasa të ndodhë, do të marrë në konsideratë edhe një herë shitjen e kompanisë si një e tërë, por pa të drejtat mbi marrëveshjet hidrokarbure që, në çdo rast, do t’i mbeten shtetit, njoftuan burimet pranë grupit të punës.

Ekspertët, si mund të ringjallet industria

Ekspertë të sektorit mendojnë se ka ende zgjidhje për të ringritur industrinë e naftës. Llambi Gjoni, një inxhinier nafte me përvojë pune të gjatë në sektor, thotë se qeveria, në vend të privatizojë Albpetrol, duhet të shtetëzojë ARMO-n dhe të krijojë ciklin e mbyllur të prodhimit dhe përpunimit të naftës në vend.

Funksionimi në këtë mënyrë si para vitit 2008, kur kompanitë publike të naftës ARMO dhe Albpetrol plotësonin njëra-tjetrën, e kthen sektorin e naftës në fizibilitet dhe shmang pasojat sociale nga largimi i rreth 4000 punonjësve nga puna, – rekomandon Gjoni. LEXO EDHE http://ëëë.monitor.al/ekspertet-mos-privatizoni-albpetrol-shtetezoni-armo-n/

Të tjerë njohës të sektorit, pohojnë se Albpetrol e ka humbur tashmë tërësisht fizibilitetin. Puset produktive janë transferuar tërësisht tek koncesionarët dhe kompanisë i duhen investime shumë të mëdha për të ringjallur prodhimin, – tha eksperti i sektorit, Panajot Soko.

Borxhet e larta dhe mungesa e perspektivës për të ringjallur prodhimin e bëjnë të pashpresë të ardhmen e Albpetrol, ndaj Soko thotë se ristrukturimi është vendimi i duhur. Ai tha se brenda kompanisë janë të paktën tre sektorë me fizibilitet të lartë, të cilat mund të rivlerësohen dhe të nxirren në shitje, pasi tregu ka interes për blerjen tyre. Bëhet fjalë për uzinën mekanike, operatorin e energjisë në Albpetrol që ka ekskluzivitetin në furnizimin e koncesionarëve të tjerë dhe sektori i remontit. Sektori i naftës, që në fund të viteve 1990 punësonte 25 mijë veta, pritet të përcjellë kontingjentin e fundit prej 3700 vetash në radhët e papunësisë, ku 1200 punonjës i përkasin ARMO-s dhe pjesa tjetër Albpetrol.

Plani për privatizimin

Qeveria Rama 2, në programin qeverisës 2017-2021, ka në plan të zbatojë reformë të thellë në ndërmarrjen shtetërore të nxjerrjes së naftës Albpetrol. Në dokumentin e shkruar të programit qeveritar thuhet se, “do të ristrukturohet kompania publike Albpetrol sh.a., duke ruajtur një njësi teknike dhe duke privatizuar asetet e tjera”.

Në fakt, sipas burimeve të Ministrisë së Energjetikës, ky është opsioni kryesor që po diskutohet nga grupi i punës. Rezultat i këtij procesi, sipas secilit variant, do të jetë zhbërja e Albpetrol brenda këtij viti dhe copëtimi i tij, ku shtetit i mbeten të drejtat mbi menaxhimin e marrëveshjeve dhe pjesët e tjera të ndërmarrjes do të ofrohen për shitje.

Në Albpetrol, vlerësohen fizibël uzina mekanike, qendra për furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë dhe sektori i remontit. Uzina mekanike që ndodhet në Kuçovë, në gjendjen që është sot, ofron shumë shërbime edhe për të tretët. Biznese të ndryshme janë në kontrata me uzinën për prodhimin e profileve të veçanta të hekurit. Nëse kjo njësi do të ofrohet për shitje ndaj një investitori me përvojë në industrinë automative, vlera e uzinës, me pak investim do të shumëfishohej dhe numri i të punësuarve do të rritej, shpjegoi eksperti i sektorit të naftës, Panajot Soko.

Gjithashtu, qendra për furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë, që është aktualisht në pronësinë e Albpetrol, është një sektor me fizibilitet brenda kompanisë. Kjo njësi aktualisht ka të drejtën ekskluzive për të ofruar shërbime të energjisë elektrike në zonat naftëmbajtëse që shfrytëzohen aktualisht nga koncesionarët e tjerë. Ky shërbim, nëse shitet, do të ketë një vlerë të konsiderueshme në treg. Pjesa tjetër e vlefshme vlerësohet sektori i remontit. Aktualisht kjo njësi ofron shërbime të vlefshme jo vetëm për Albpetrol, por edhe për koncesionarët e tjerë. Nëse struktura privatizohet, me pak investime ajo mund të jetë një biznes shumë fizibël. Kompanitë koncesionare mund të blejnë shërbimet e saj, pasi do të kushtojnë shumë më lirë se pagesat ndaj një kompanie të huaj që do të ofronte remonte në Shqipëri.

Ekspertët në Ministrinë e Energjetikës, të cilët janë pjesë e negociatave, pohojnë se ky plan është në shqyrtim. Zbatimi i këtij plani pritet të rrisë fitimet e qeverisë e cila, nëpërmjet një njësie të vogël, do të menaxhojë të ardhurat nga marrëveshjet hidrokarbure, të cilat do të rrisnin të ardhurat cash në arkën e shtetit që sot përdoren për të paguar të 2500 punonjësit e kompanisë. Por privatizimi i pjesëve të shëndetshme duket se do të shpëtojë një pjesë të mirë të punonjësve nga papunësia. Aktualisht, Albpetrol ka rreth 10 njësi të veçanta, ku më kryesorët janë qendrat e prodhimit në Ballsh dhe Kuçovë, njësia e shitjes, ajo e sigurisë, shërbimet gjeofizike, njësia e transportit, magazina e materialeve, operatori i energjisë, qendra e transportit dhe uzina mekanike e Kuçovës.

Ndërmarrjet e Albpetrol

1-Qendra e Prodhimit të Naftës në Kuçovë

2-Qendra e Prodhimit të Naftës së Ballshit

3-Qendra e Administrimit të Shitjes së Naftës e Gazit

4-Qendra e Administrimit dhe Ruajtjes së Pronës

5-Qendra e Shërbimeve Gjeofizike

6-Qendra e Furnizimit dhe Shërbimeve Elektrike

7-Qendra e Emergjencës, Mjedisit, Naftës e Gazit

8-Qendra e Furnizimit të Materialeve Teknike

9-Qendra e Transportit

10-Qendra Mekanike e Naftës në Kuçovë

Të drejtat që mbeten shtetërore

Pas ristrukturimit të Albpetrol, shteti do të mbajë të drejtat mbi marrëveshjet hidrokarbure, aktualisht 7 të tilla. Kompanitë koncesionare që shfrytëzojnë zonat naftëmbajtëse të vendit tonë dorëzojnë aktualisht në Albpetrol 70% të prodhimit paraekzistues. Kjo kuotë jepet mbi sasinë e prodhimit që është nxjerrë në vitin e fundit, para se fusha të jetë dhënë në koncesion. Gjithashtu, Albpetrol merr bonusin prej 1% të naftës që nxirret për çdo pus që shfrytëzojnë kompanitë koncesionare. Duke filluar nga viti 2004, në territorin e Republikës së Shqipërisë operojnë aktualisht 6 shoqëri, të cilat kanë nënshkruar Marrëveshje Hidrokarbure me Albpetrol sh.a. për vendburimet përkatëse, ku kryesorja është Bankers Petroleum Albania Ltd, Sherëood International Petroleum Ltd, Transoilgroup sh.a., Phoenix Petroleum sh.a, Fin-Pek Petroleum sh.a. dhe Delvina Gas Company Ltd.

Në Shqipëri janë shpuar gjithsej rreth 5.630 puse. Vendburimet e naftës dhe gazit kanë një shtrirje në rrethet Sarandë, Vlorë, Mallakastër, Fier, Lushnjë dhe Kuçovë. Shumica e këtyre puseve kanë kaluar për shfrytëzim tek kompanitë koncesionare, teksa pjesa tjetër janë kthyer në puse të ndaluara (puset janë ndaluar për arsye të ndryshme si dëmtime, pamundësi përpunuese, rentabilitet i ulët, luhatjet e çmimit të naftës në bursë etj.) të cilat kanë rritur së tepërmi kostot e Albpetrol.

Menaxhimi i marrëveshjeve hidrokarbure dhe menaxhimi i fondit të puseve të ndaluar do të menaxhohen nga shteti nëpërmjet njësisë teknike, që do të ketë një numër të kufizuar punonjësish dhe me shumë gjasë do të integrohet në institutin e ri të naftës dhe gazit që do të krijohet.

Prodhimi i naftës në Shqipëri ka nisur në vitin 1929, kur janë arritur të nxirren 750 tonë naftë. Prodhimtaria ka vijuar të rritet nga viti në vit, e shoqëruar edhe me hapjen e vendburimeve të reja. Vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore kanë njohur një frenim të prodhimit të naftës. Më pas, trendi i prodhimit ka qenë pozitiv. Periudha më e mirë e prodhimit të naftës në vendin tonë ka qenë në vitet 70’. Në vitin 1974 është arritur prodhimi rekord në shifrat 2 248 227 tonë naftë bruto. Në vitin 1991, prodhimi i naftës ka rënë poshtë shifrës së një milionë tonëve naftë në vit.

Në vitin 2000 është shuar edhe prodhimi më i ulët, 314 304 tonë naftë. Nga ky vit, trendi ka qenë pozitiv, duke arritur të dalë sërish mbi kufirin e një milion tonëve në vitin 2012. Në vitin 2013, u arrit të prodhohej më shumë se 1.2 milionë tonë naftë. Në 85 vjet, nga nëntoka shqiptare janë nxjerrë 56 249 677 tonë naftë bruto.

Vlera e aseteve kontabël të Albpetrol, 347 milionë euro

Vlera e aseteve kontabël te pasuritë e Albpetrol në formën e tokave, ndërtesave, makinerive dhe pajisjeve të tjera është 46.5 miliardë lekë, ose 347 milionë euro deri në fund të vitit 2016, sipas të dhënave nga Bilanci.

Në këtë vlerë, 16.6 miliardë lekë u llogarit vlera e tokave dhe ndërtesave dhe 29.9 miliardë lekë vlera e impianteve dhe makinerive. Por ekspertët kontabël kanë dhënë opinione të rezervuara në lidhje me vlerën e aseteve të llogaritura. Sipas opinionit të audituesve, që tashmë është publik në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, vlera prej 46.6 miliardë lekësh e aseteve nuk është reale.

Sipas audituesve, Albpetrol prej vitesh aplikon norma menaxheriale shumë të ulëta për amortizimin e aktiveve afatgjata materiale dhe këto norma bazohen në një vendim të Këshillit Mbikëqyrës të vitit 2007, i cili nuk është rishikuar më tej. “Ne gjykojmë se normat menaxheriale të amortizimit nuk përputhen me realitetin e zhvlerësimit dhe të amortizimit të aktiveve afatgjata materiale. Metoda e amortizimit e përdorur duhet të rishihet të paktën çdo fundvit financiar dhe nëse ka një ndryshim të rëndësishëm në tiparin e pritshëm të konsumit të përfitimeve ekonomike të ardhshme të trupëzuara në aktiv, metoda duhet të ndryshohet për të pasqyruar tiparin e ndryshuar”, këshillojnë audituesit.

Në zërin “Rezerva nga rivlerësimi” i “Aktiveve Afatgjata Materiale”, nuk ka lëvizje për një kohë të gjatë. Shoqëria ka kryer një rivlerësim të ri të tokave, ndërtesave, makinerive dhe pajisjeve dhe raporti përkatës mban datën 20.02.2017. Sipas këtij raporti, vlera e drejtë për AAM-të (tokë, ndërtesa, makineri, pajisje) në datë 1 janar 2015 është 35,3 miliardë lekë, ndërsa vlera kontabël e AAM-ve në atë datë raportohej 48,1 miliardë lekë. Vlera e drejtë e aseteve paraqitet 27% më e ulët se vlera e paraqitur në bilanc. Ky rivlerësim si dhe ndikimi i tij nuk është paraqitur në pasqyrat financiare të mbyllura më 31 dhjetor 2016. /Monitor/