Pikiata e Euros vitin e kaluar, ende mister arsyet -Albpress Daily News
Published On: Mër, Mar 28th, 2018

Pikiata e Euros vitin e kaluar, ende mister arsyet

Shpërndaj
Tags

Monedha e përbashkët u këmbye në vitin 2017 mesatarisht me 134 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, niveli më i ulët që prej 2009-s.
Sipas ekspertëve, arsyeja kryesore e kësaj rënieje lidhet me ofertën e lartë për valutë, ndërkohë që kërkesa për lekë ka qenë relativisht e ulët.

Por, të dhënat zyrtare nuk tregojnë që nga burimet formale të ketë pasur një rritje të flukseve valutore neto që vijnë në Shqipëri, në raport me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korente, cili mat transaksionet ndërkombëtare të një vendi me pjesën tjetër të botës, pra mat hyrje-daljet e valutës (pa përfshirë llogaritë financiare) ishte negativ prej 803 milionë eurosh në vitin 2017. Në krahasim me një vit më parë, ky deficit është përmirësuar vetëm me 1.2%, apo me 10 milionë euro, një shumë kjo minimale për të ndikuar tek kursi, pasi transaksionet ditore të kursit në vend janë të paktën tre herë më të larta.

Ndonëse vitet e fundit është rritur fluksi i parave që vjen nga biznesi i shërbimeve (call center, forex), apo dhe nga turistët, importet (produktet që shqiptarët blejnë më të shumti nga jashtë sepse industria vendase nuk është e zhvilluar) mbeten të larta, duke bërë që bilanci i hyrje daljes së valutës nga burimet zyrtare të mbetet negativ dhe të mos shohë përmirësim në 2017-n. Ndërsa të huajt sjellim më shumë valutë në Shqipëri edhe shqiptarët po shpenzojnë më shumë jashtë. http://www.monitor.al/shqiptaret-shpenzime-rekord-per-pushime-jashte-ne-2017-n-ikin-1-3-miliarde-euro/

Në vite, deficiti i llogarisë korente dhe kursi i këmbimit kanë pasur një lidhje të zhdrejtë mes tyre, ndonëse teorikisht duhet të ndodhte e kundërta. Në periudhën 2008-2001, kur deficiti u përmirësua (çka nënkuptonte se po hynte më shumë valutë dhe po dilte më pak nga vendi), monedha vendase u zhvlerësua ndjeshëm, kur teorikisht duhet të ndodhte e kundërta, ajo duhet të ishte më e fortë . Ndërsa në 2017-n, niveli i deficiti ishte pothuajse i pandryshueshëm, duke mos justifikuar teorikisht forcimin e lartë të monedhës vendase ndaj euros.

Edhe investimet e huaja direkte ishin më të ulëta këtë vit, me një rënie prej 3.7%, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. http://www.monitor.al/investim…

Monedha e përbashkët ka vijuar nënçmimin edhe në muajt e parë të këtij viti, duke zbritur një javë më parë në 129 lekë, niveli më i ulët nga gushti 2009, për ta marrë veten sërish, duke u ngjitur në 131 lekë ditën e djeshme. Ndërsa në afatin e shkurtër lëvizje të tilla janë spekulative dhe lidhen me kryerjen e transaksioneve të mëdha, lidhur me faktorët afatgjatë që kanë ndikuar në nënçmimin e euros, eEkspertët kanë ngritur vazhdimisht supet për arsyet, por faktori kryesor që po ndikon në këtë nënçmim të euros lidhet me ofertën e lartë për valutë, dhe kërkesën e dobët për lekë në tregun e brendshëm. Oferta e lartë, sipas tyre vjen nga kanalet informale, konvertimet e bizneseve për të paguar taksat, transaksionet e shtuara në tregun e pasurive të paluajtshme, ku blerjet kryhen me euro dhe më pas ndërtuesit e konvertojnë në lekë, orientimin e disa transaksioneve drejt lekut, duke shtuar ofertën në valutë, konvertimet e atyre që kanë euro në shtëpi, që nxituan t’i kthejnë në lekë nga frika se mos monedha e përbashkët binte më tej, orientimin e investimeve drejt lekut, që nënkupton konvertimin e eurove etj.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndërkohë një fushatë anti-deuorizimi, që synon uljen e përdorimit të monedhës së përbashkët në ekonominë vendase. /Monitor/